Fauci, optimist për imunizimin/ “Do bëjmë 1 milion vaksina në ditë”

06/01/2021 13:23

Shtetet e Bashkuara së shpejti mund të jenë në gjendje të kryejnë 1 milion vaksinime në ditë, pavarësisht se fushata ka pasur një fillim më të ngadaltë, deklaroi Drejtori i Institutit amerikan të Sëmundjeve Infektive dhe Alergjisë, Dr. Anthony Fauci.

Fauci paralajmëroi se javët e ardhshme do të jenë edhe më të rënda.Ritmet e ngadalta të vaksinimit kanë krijuar irritim në radhët e zyrtarëve dhe popullatës. Deri të hënën vetëm 1/3 e sasisë së vaksinave që kishin marrë shtetet ishte vënë në përdorim për fushatën e imunizimeve.

“Nuk është e pazakontë që një fushatë e tillë krejt e re të nise  me ritme të ngadalta. Po ashtu, vaksinimi filloi në mes të sezonit të festave, kur shumë nga klinikat nuk ishin në kapacitetin maksimal të operimit. Të shohim pas 1 jave apo 10 ditësh deri nga mesi i janarit. Shpresoj se do të jetë përshpejtuar ritmi”, shprehet Fauci.

Fauci e cilësoi realist dhe të realizueshëm objektivin e presidentit të zgjedhur Joe Biden për 100 milionë vaksinime brenda 100 ditëve të para të administratës së tij.

“Kemi parë një fije shprese, pasi gjatë 72 orëve të fundit janë bërë 1.5 milionë vaksinime, pra gjysmë milion vaksinime në ditë. Pra, nëse është e realizueshme që të bëjmë 500 mijë vaksinime në ditë në kushte jo ideale, mendoj se është e arritshme të bëjmë 1 milion, madje edhe më shumë vaksina në ditë në të ardhmen”.

Administrata e Presidentit Trump ishte zotuar të furnizonte shtetet me vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë vetë brenda  muajit dhjetor. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afërsisht 4.6 milionë doza janë administruar deri tani nga 15 milionë doza që ishin shpërndarë deri të hënën në mëngjes.

 

 

 

Top Channel