Ashpërsohen tonet me Iranin/ Shtetet e Bashkuara, sanksione sektorit të metaleve

06/01/2021 14:31

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në listë të zezë 16 kompani dhe një individ të lidhur me industrinë e metaleve të Iranit, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme nga administrata në largim e presidentit të Shteteve të  Bashkuara, Donald Trump, për të penguar përfitimet e këtij vendi.

Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi se ka shënjestruar sektorin e metaleve iraniane sepse është një “burim i rëndësishëm i të ardhurave” për udhëheqjen e republikës islamike, “duke gjeneruar pasuri për liderët e saj të korruptuar dhe duke financuar një sërë aktivitetesh të këqija, përfshirë këtu përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, mbështetjes për grupet e huaja terroriste dhe një shumëllojshmërie të shkeljeve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit”.

Sipas sanksioneve, pasuritë e subjekteve dhe individëve në shënjestër që bien nën juridiksionin e SHBA janë të ngrira dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me këto subjekte.

“Administrata Trump mbetet e vendosur për të ndaluar të ardhurat nga të cilat përfiton regjimi iranian, derisa i njëjti vazhdon të sponsorizojë grupe terroriste, të mbështesë regjime shtypëse dhe të kërkojë armë të shkatërrimit në masë”, tha Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin.

Zyrtarët iranianë ende nuk e kanë komentuar këtë vendim.

Top Channel