Mostrat e vaksinës CoronaVac që janë sjellë javën e kaluar në kryeqytetin e Turqisë, janë në teste në laboratorët e Ministrisë së Shëndetësisë për miratimet e përdorimit emergjent, bëri të ditur sot ministria e këtij vendi.
Mostrat e vaksinës, e zhvilluar nga kompania kineze Sinovac Biotech, të cilat u sollën më 30 dhjetor të vitit 2020, janë testuar në përputhje me proceset rutinore të kontrollit të cilësisë të aplikuara në të gjithë botën, theksohet në njoftim.
Analizat janë duke u zhvilluar për të kontrolluar cilësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e pritur të vaksinës kur ajo ruhet dhe zbatohet në kushte të përcaktuara nga kompania gjatë gjithë afatit të saj të ruajtjes, thuhet më tej në njoftim.
Nëse kalon të paktën teste të gjata 14 ditore, vaksina do të vihet në përdorim pas një “Miratimi të Përdorimit Emergjent” nga Instituti Farmaceutik dhe i Pajisjeve Mjekësore të Turqisë, bëri të ditur ministria.
Laboratorët e institucionit, të njohur si Laboratorët Kombëtarë të Kontrollit, janë të njohur dhe akredituar nga institucionet dhe organizatat ekuivalente ndërkombëtare.
Të gjitha vaksinat e listuara në programin e vaksinimit të ministrisë, së bashku me produktet biologjike mjekësore, ilaçet, produktet e ushqimit enteral dhe ushqimet mjekësore, pajisjet mjekësore, produktet biocid dhe kozmetika, testohen në këto laboratorë.
Sipas ministrit turk të Shëndetësisë, Fahrettin Koca, stafi shëndetësor dhe shtëpitë e të moshuarve do të jenë të parët që do të marrin vaksinat. Turqia të hënën konfirmoi 13.695 raste të reja, duke përfshirë 1.508 pacientë simptomatikë, duke rritur numrin e rasteve në mbi 2,25 milionë.
Numri i të vdekurve në vend me COVID-19 aktualisht qëndron në 21.685.
Top Channel