Greqi, ndryshon qeveria/ Start të ri për reformat që Mitsotakis do të ndërmarrë në këtë periudhë të vështirë

05/01/2021 02:12

Mesditën e së hënës së parë të vitit 2021, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka kryer një riformatim të kabinetit të tij qeveritar duke dashur t’i japë një ristart të ri sipas tij, reformave që ai ka në plan gjatë kësaj periudhe të vështirë për Greqinë, por edhe për vendet e tjera kudo në botë, për shkak të pandemisë.

Por ajo që ka rënë në sy është se ai nuk ka ndryshuar asnjë prej ministrave kryesore të qeverisë, si ministrin e Jashtëm, të Mbrojtjes, të Financave, të Brendshëm, të Mbrojtjes së Qytetarit, të Shëndetsisë, të Arsimit, të Drejtësisë dhe të Kulturës.

Ndërkohë në qeveri kanë hyrë 12 politikane, prej të cilëve 10 deputetë aktualë të Demokracisë se Re, një si ministër, njëmbëdhjetë si zv/ ministra, ndërsa ka ndryshuar edhe zëdhënësi i qeverisë i cili ka paraqitur edhe ndryshimet përkatëse në konferencën për shtyp.

‘Çdo qeveri duhet të tregojë në kohën e duhur fleksibilitet. Në këtë kontekst kryeministri Kyriakos Mitsotakis i cili ka përgjegjësinë për formimin dhe riformatimin e qeverisë sipas Kushtetutës, mori vendimin për të kryer ndryshime në përbërjen e anëtarëve të kabinetit dhe më caktoi mua nga detyra e re e zëdhënësit të qeverisë që t’i deklaroj publikisht’- tha Christos Tarantilis zëdhënësi i ri i qeverisë.

Ndryshimet kryesore kryeministri grek i ka bërë në ministrinë e Brendshme, atë të Arsimit, të Punes si dhe të Emigracionit, dikastere të cilat u përballën dhe vazhdojnë të përballen me pasojat e pandemisë. Riformatimi vjen 18 muaj pas fitores së Demokracisë së Re në zgjedhjet e 7 Korrikut të 2019, në një periudhë kur Mitsotakis dhe kabineti i tij kritikohen ashpër nga opozita për menaxhimin e krizës së pandemisë dhe masat e marra për përballimin e saj.

Skema e re qeveritare përbëhet nga 59 anëtare, tetë më shumë se qeveria e mëparshme dhe përsëri më shumë pak gra në poste, vetëm 10.
Ky kabinet do të përballojë edhe sfidat e tjera siç janë vaksinimi i gjithë popullsisë, ristartimi i ekonomisë së gjunjëzuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe zhvillimet diplomatike, sidomos marrëdhëniet greko-turke në një nga periudhat më të tensionuara të tyre.

Top Channel