Tjetër tërmet në Kroaci, goditet po i njëjti qytet

04/01/2021 10:16

Petrinja e Kroacisë u godit mëngjesin e sotëm nga një tjetër tërmet me magnitudë 4.2.

Tërmeti u regjistrua në orën 07:49, konfirmoi Shërbimi Sizmologjik i Kroacisë. Lëkundjet e tokës u ndjenë në një zonë më të gjerë të vendit, përfshirë edhe Slloveninë. Petrinja ishte qyteti më pranë epiqendrës së tërmetit shkatërrimtar të 29 dhjetorit me fuqi 6.3 sipas shkallës Richter.

Ai tërmet u ndje  në kryeqytetin kroat, Zagreb, në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi e deri në Itali. Në Petrinja, situata ishte shumë serioze dhe pikërisht ky qytet u godit sërish nga tërmeti i mëngjesit të sotëm, i cili ishte më i lehtë, por ngjalli panik në një zonë të traumatizuar tashmë. Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, është shprehur më parë se do të duhen fonde të mëdha për të rindërtuar qytetin e Petrinjës, ndërsa krahasoi fuqinë e tërmetit të 29 dhjetorit me 7 viktima e dhjetëra të plagosur, me atë të vitit të kaluar në Durrës.

EMSC tha se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmetet e kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës. Marsin e vitit të kaluar,  një tjetër tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb, ku vdiq të paktën një person e u plagosën 27 të tjerë.

Top Channel