Kongresisti Torres premton të ndjekë rrugën e Engelit kur bëhet fjalë për çështjen shqiptare

04/01/2021 20:48

Legjislatura e 117-të e Kongresit të SHBA-së është betuar zyrtarisht, por me një ndryshim të dukshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan. Për herë të parë pas 32 vjetësh, Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve, nuk është pjesë e Kongresit.

Megjithatë, mes anëtarëve të rinj që bënë betimin, ekziston një yll i ri në rritje që përfaqëson rrethin e 15-të të New York-ut dhe që e njeh mirë komunitetin shqiptar, ai është Ritchie Torres.

Distrikti që përfaqëson ai, gjithashtu përfshinë “Arthur Avenue” dhe “Shqipëria e Vogël” e re, ku jetojnë shumë shqiptarë.

Torres po e zëvendëson në Dhomën e Përfaqësuesve, Jose Serranon, një tjetër emër familjar për çështjen e shqiptarëve, që doli në pension, pasi shërbeu për tri dekada. Serrano ishte një anëtar i hershëm i Grupit të çështjes shqiptare.

Para se të kandidonte për Kongres, Torres shërbeu për disa vjet në Këshillin e Qytetit të Neë York-ut, duke përfaqësuar një rreth që përfshin lagje ku jetojnë e punojnë shqiptaro-amerikanët, si Allerton, Belmont, Fordham dhe të tjera në Bronx.

Para kësaj ai shërbeu si drejtor në zyrën e këshilltarit James Vacca.

Ndërsa demokratët mbajtën shumicën në Dhomë, Ritchie Torres, bëri historinë në nëntor duke u bërë homoseksuali i parë afro-latin i zgjedhur ndonjëherë në Kongresin e SHBA-së.

Më e rëndësishmja për komunitetin shqiptaro-amerikan, është se kongresmeni Torres ka treguar interes të fortë në politikën e jashtme dhe ka premtuar të vizitojë Kosovën së shpejti.

Harry Bajraktari, një biznesmen dhe një nga udhëheqësit e komunitetit shqiptar, organizoi në gushtin e kaluar një takim mes ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ritchie Torresit.

Ambasadorja e Kosovës në Washington DC, Vlora Çitaku dhe diplomati nga Konsullata e Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, morën pjesë po ashtu në takim.

“Ritchie Torres do të jetë një përfaqësues i shkëlqyeshëm për rrethin e tij dhe i uroj të gjithë fatin”, tha Harry Bajraktari për gazetën Illyria të hënën.

“Ai më ka thënë se do të vazhdojë atje ku e la kongresmeni Engel sa i përket çështjes shqiptare”.

Vetëm disa çaste para se të bënte betimin e tij, ai shkroi në Twitter, “Është nderi i jetës të përfaqësoj Bronxin jugor”.

Eliot Engel vlerësohet si është një prej amerikanëve që ndihmoi më së shumti çështjen e shqiptarëve dhe të Kosovës ne veçanti, duke lobuar në Kongres dhe më gjerë. /Illyria/

Top Channel