Covid-19, ministri: Njerëzit që nuk besojnë te vaksina e Indisë, kanë ‘sfida’ mendore

04/01/2021 20:39

Njerëzit që nuk besojnë te vaksina e sapo-aprovuar e Indisë kundër Covid-19, me shumë gjasa kanë mendje të dobët, tha sot Dharmendra Pradhan, ministri i naftës dhe gazit natyror të vendit.

Në fjalimin e tij pa shumë diplomaci, Pradhan shtoi se vaksinat e koronavirusit të krijuara në Indi janë një “arritje e veçantë” e farmaceutikës së vendit, dhe se ata që shqetësohen për efikasitetin e tyre “nuk kanë besim te shkencëtarët dhe fuqia e Indisë”, pasi kanë “sfida mendore”.

“Disa njerëz me sfida mendore nuk përmirësohen kurrë, veçanërisht disa në udhëheqjen e Kongresit të cilët mundohen të gjejnë gabime në gjithçka,” tha ai duke refuzuar kritikat nga brenda parlamentit të vendit për besueshmërinë e vaksinës.

Të dielën India dha aprovimin e emergjencës për vaksinën e saj Covishield, e krijuar nga instituti vendas Serum, bazuar në modelin e vaksinës AstraZeneca/Oxford, ashtu si dhe për vaksinën Covaxin, të krijuar nga kompania indiane e farmaceutikës Bharat Biotech.

Covishield besohet të jetë diku te 62-përqind efektive, më e ulët se injeksionet konkuruese, ndërsa Covaxin nuk ka publikuar ende të dhënat e testimeve.

Disa anëtarë të parlamentit kanë thënë se Covaxin është aprovuar në mënyrë të parakohshme.

Deputeti Shashi Tharoor tha se aprovimi i vaksinës tregonte se qeveria “preferon sloganet përkundër thelbit,” dhe se “rrahja e gjoksit për nacionalizmin e vaksinës, po triumfon mbi logjikën dhe protokollet shkencore”.

 

Të tjerë politikanë kanë qenë më ekstremë, siç ishte kreu i partisë Samajwadi (Socialiste), Ashutosh Sinha, që tha se vaksina përmban “diçka për të shkaktuar dëm ose impotencë, për reduktimin e popullatës”.

Top Channel