Britani, vazhdon vaksinimi ndërsa shtohen rastet e reja të infektimeve

04/01/2021 03:30

Shoqata kryesore e mjekëve në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar se mungesa e “transparencës” nga ana e qeverisë mbi shpërndajen e vaksinës ka krijuar probleme të mëdha planifikimi për skemën e vaksinimit. Përfaqësuesja e Shoqatës Mjekësore Britanike Helena McKeown tha të dielën se shumë mjekë ende nuk e dinë se kur do të mbërrijë vaksinat dhe se kur mund të caktojnë vaksinimin e pacientëve të tyre.

“Na janë premtuar vaksina dhe pastaj janë anuluar,” tha zonja McKeown. Ajo i kërkoi Sekretarit të Shëndetësisë Matt Hancock që të ndajë të dhënat në mënyrë që mjekët dhe infermieret të trajnohen dhe të bëhen gati për vaksinimin.

Të shtunën Mbretëria e Bashkuar shënoi shifrën rekord prej 57, 725 të infektuar në ditë. Të dhënat zyrtare tregojnë se për pesë ditë me radhë vendi ka regjistruar mbi 50 mijë të infektuar, pothuajse dyfishi i dy javëve më parë. Ndërsa shumë spitale britanike janë pranë tejkalimit të kapaciteteve, po rritet shqetësimi se si Shërbimi Kombëtar i Shëndetit do të përballet me rastet e infeksioneve në rritje pas festave. Për të pritur pacientët po përgatitet ndërtimi i spitaleve në ambjent të hapur. Simon Stevens drejton Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë në Britani.

“Le ta pranojmë, 2020 ka qënë një vit shumë i vështirë për punonjësit e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë përballë situatës së krijuar nga pandemia më të madhe e shekullit.”Britania filloi me 8 dhjetor vaksinimin e personave mbi 80 vjeç dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor me vaksinën e Pfizer-BioNTech-ut. Javën e shkuar Londra miratoi një tjetër vaksinë nga Universiteti Oxford dhe gjigandi farmaceutik AstraZeneca, që kushton më lirë dhe ruhet në frigoriferë të zakonshëm.

Top Channel