AP verifikon faktet: Pretendimet e presidentit për votat në Xhorxhia, të pabaza

04/01/2021 22:54

Presidenti Donald Trump parashtroi një numër pretendimesh jo krejt të qarta dhe pa baza reale në një telefonatë me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, ku këmbëngulte për anulimin e rezultatit të zgjedhjeve në këtë shtet, ku ai humbi përballë demokratit Joe Biden.

Në një telefonatë që zgjati një orë të shtunën, presidenti i sugjeron sekretarit republikan të shtetit që të gjejë vota të tjera të mjaftueshme për ta përmbysur rezultatin në favor të tij.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka siguruar regjistrimin e plotë të telefonatës nga një person i përfshirë në bisedë. Agjencia nuk e ka publikuar bisedën, në përputhje me politikat e saj redaksionale për të mos përhapur pretendime të pabaza.

Në vijim, disa nga pretendimet e presidentit dhe si krahasohen ato me realitetin e provuar me fakte:

TRUMP: “Nëse i shikojmë numrat, mendoj se është e qartë se kam fituar; ne fituam me goxha diferencë në Xhorxhia”.

FAKTET: Presidenti Trump humbi zgjedhjet në Xhorxhia dhe autoritetet në këtë shtet i certifikuan rezultatet duke shpallur fitues demokratin Biden. Zyrtarët zgjedhorë, të cilët janë të Partisë Republikane, kanë konfirmuar se zgjedhjet ishin të drejta dhe numërimi ishte i rregullt.

Pas numërimit tre herë të votave, përfshirë edhe numërim me dorë, rezultati i certifikuar tregon se zoti Trump humbi përballë demokratit Biden me një diferencë prej 11,779 nga afro 5 milionë vota në total. Zoti Raffensperger e certifikoi rezultatin, pasi zyrtarët konfirmuan se nuk kanë zbuluar dëshmi për fitoren e zotit Trump.

Nuk janë zbuluar prova për manipulime apo probleme të sistemit. Gjykatësit kanë refuzuar të hapin procese gjyqësore në përgjigje të padive për të rrëzuar rezultatin, megjithëse ka ende një padi aktive në një gjykatë shtetërore.

TRUMP: “Njerëzit duan një numërim të saktë… Ka edhe shtete të tjera ku besoj se rezultati do të përmbyset së shpejti në favorin tonë”.

FAKTET: Nuk ka asnjë proces që pritet të rezultojë në rrëzimin e rezultatit në ndonjë shtet.

Demokrati Biden mundi Presidentin Trump me një diferencë prej afro 7 milionë votash popullore dhe një rezultat prej 306-232 në Kolegjin Zgjedhor. Ai siguroi fitore në shtete të lëkundura si Miçigani, Uiskonsini, Pensilvania dhe Arizona.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm William Barr nuk zbuloi dëshmi për manipulime në masë në zgjedhje. Pretendimet e presidentit për manipulime në masë janë hedhur poshtë në një numër gjykatash dhe janë kundërshtuar nga zyrtarë shtetërorë si dhe struktura të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Një grup senatorësh republikanë, nën udhëheqjen e senatorëve Josh Hawley dhe Ted Cruz, thonë se kanë në plan të kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve kur të numërohen votat e Kolegjit Zgjedhor të mërkurën për të zyrtarizuar fitoren e zotit Biden.

TRUMP: “250,000 deri në 300,000 vota janë përfshirë në mënyrë misterioze, shumë prej të cilave në komunën Fulton. Këto vota nuk janë kontrolluar”.

FAKTET: Presidenti Trump me sa duket po u referohet votave të numëruara në orët e para të së mërkurës, pas ditës së zgjedhjeve. Këto vota priteshin të mbërrinin pas ditës së zgjedhjeve, pasi shumë nga 159 komunat e Xhorxhias kishin një numër të madh votash të dërguara me postë, të cilat do të numëroheshin pas mbylljes së qendrave të votimit dhe pas numërimit të votave të hedhura fizikisht.

Grupet mediatike dhe zyrtarët e kishin parashikuar një skenar të tillë: votat e hedhura nga personat që shkuan në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve do të numëroheshin më shpejt dhe pritej të ishin në favor të presidentit.

Votat me postë, që kërkojnë më shumë kohë për t’u numëruar pasi duhen nxjerrë nga zarfat, duhet verifikuar firma që të rakordohet me listat e votuesve, do të ishin në favor të zotit Biden. Shtetet përgjithësisht i numërojnë votat me postë në fund të procesit.

TRUMP: “Mendojmë se … nëse bëhet një kontroll i mirëfilltë i firmave në komunën Fulton, do të zbuloni të paktën ca qindra mijëra firma të falsifikuara”.

FAKTET: Do të ishte e pamundur për dikë të falsifikojë qindra mijëra firma në fletëvotimet e dërguara me postë në komunën Fulton, pasi në këtë komunë, më e madhja në shtetin e Xhorxhias, kishte vetëm 147,000 vota me postë nga të cilat 116,000 ishin për zotin Biden.

TRUMP: (duke ngritur pretendimin se mijëra votues të mëparshëm, tashmë me banim jashtë Xhorxhias, të regjistruar në një shtet tjetër, kanë votuar në Xhorxhia, në kundërshtim me rregullat) “Kanë ardhur për të votuar në shifra të larta”.

FAKTET: Nuk është e vërtetë. Përkrahësit e zotit Trump po i referohen një liste të dyshimtë, sipas zotit Ryan Germany, këshilltar ligjor në zyrën e sekretarit të shtetit, Raffensperger. Ai i tha presidentit gjatë telefonatës se pretendimet janë hetuar dhe në shumë raste “votuesit ishin rivendosur vite më parë në Xhorxhia. Pra nuk ndodhi pak kohë para zgjedhjeve. Ka diçka që nuk shkon me të dhënat (në listë); nuk janë të sakta”.

TRUMP: “Nuk jam i bindur. Kemi dëgjuar që janë grisur mijëra e mijëra fletëvotime. Tani po thonë ‘Po pastronim zyrën’.”

FAKTET: Grisja që përflitet ndodhi në lagjet periferike të komunës Cobb, jo në komunën Fulton. Zyrtarët zgjedhorë të komunës Cobb thanë më 24 nëntor se asnjë nga fletët e grisura nga një kontraktor “nuk kishte lidhje me numërimin e votave,” por ishin gjëra si etiketa për adresën e postës, apo letra me informacion mbi votuesit, ose formularë që përdoren për të regjistruar votuesit.

TRUMP: (duke folur për një vendim ligjor në Xhorxhia mes Partisë Demokrate dhe zyrtarëve të shtetit lidhur me mënyrën e verifikimit të firmave në fletëvoti et e dërguara me postë): “Nuk mund të kontrollosh firmat, është e pamundur… Marrëveshja, me sa duket lejon që persona të tretë të mbledhin fletëvotimet e të tjerëve. Kjo marrëveshje është e tmerrshme për vendin”.

FAKTET: Asgjë në marrëveshjen e 6 marsit nuk pengon zyrtarët zgjedhorë në Xhorxhia të kontrollojnë dhe verifikojnë firmat. Marrëveshja përpiqet të sqarojë shqetësimet për mungesën e standardeve shtetërore për kontrollin e firmave në zarfat me të cilat dërgohen votat me postë. Zoti Raffensperger ka thënë se verfikimi i firmave jo vetëm që është i mundshëm, por edhe i detyrueshëm në bazë të rregulloreve shtetërore.

Praktika e grumbullimit të votave nga persona të tretë dhe dërgimi i një sasie votash pranë zyrtarëve zgjedhorë është e paligjshme në Xhorxhia.

TRUMP: (duke folur për hetimet lidhur me pretendimet e tij për manipulim votash: “Keni një prokuror të betuar kundër Trumpit në atë shtet”.

FAKTET: Prokurori në Atlanta është i emëruar nga vetë Presidenti Trump. Byung J. “BJay” Pak është republikan dhe ka qenë përfaqësues në legjislaturën shtetërore nga 2011-2017. Ai u emërua nga Presidenti Trump si prokuror për Distriktin Verior të Xhorxhias në 2017. Kur e shpalli emërimin e tij, Shtëpia e Bardhë tha se zoti Pak dhe pesë emërimet e tjera për poste prokurorësh “kishin një vizion të përbashkët me presidentin për ta bërë Amerikën përsëri të Madhërishme”.

TRUMP: (duke folur për 18,000 vota “të dyshimta”: “Videoja që është parë në të gjithë botën… aty thuhet qartë se ka pasur çarje të një tubi kryesor uji. Të gjithë u larguan nga zona dhe kur u kthyen në qendrën e votimit nuk kishte më vëzhgues republikanë, nuk kishte punonjës të organeve të rendit. Ishte një tufë votash, por jo në një kuti të rregullt votimi, por në një mbajtëse që dukej si valixhe. Minimalja mund të ishin 18,000 vota, të gjitha për Joe Bidenin”.

FAKTET: Zyrtarë shtetërore dhe të komunës Fulton thanë se videoja e kamerave të sigurisë, së cilës i referohej zoti Trump, nuk tregon veprime të parregullta, por aktivitet të rregullt me votat, jo duke i futur në valixhe, por në kontenierë me rrota për transportim. Zyrtarët thanë se i gjithë regjistrimi tregon të njëjtët punonjës që kishin vendosur vota të rregullta, por të panumëruara në kontiner edhe më herët.

Republikanët kanë thënë se vëzhguesve të tyre u ishte thënë të largoheshin nga qendra e numërimit në komunën Fulton, por zyrtarët e zgjedhjeve thanë se u larguan pas konfuzionit të krijuar kur punonjësit menduan se kishte mbaruar puna për atë natë.

Një punonjës jopartiak dhe një hetues mbikqyrën procesin e numërimit të votave, sipas zyrtarëve shtetërorë dhe komunalë. Presidenti Trump i referohet edhe një pretendimi të përhapur në median sociale për një dëshmi nga një votuese, e cila thuhet se ka qenë e përfshirë në një incident.

TRUMP: “Në shtete të tjera mendojmë se kemi zbuluar korrupsion të jashtëzakonshëm me makinat (e firmës) Dominion, por do të shohim”.

FAKTET: Nuk është zbuluar korrupsion në këtë aspekt.

“Nuk ka prova se sistemi i votimit ka fshirë, apo ka humbur vota, ka ndryshuar apo ka kompromentuar votat në ndonjë formë,” tha agjencia federale që mbikqyr sigurinë e zgjedhjeve në një deklaratë të përbashkët me zyrtarët shtetërorë dhe kompanitë që ofrojnë makineritë për infrastrkturën për zgjedhjet./VOA

Top Channel