Kina “minon” amerikanët/ Akuza për komplot ndaj trupave në Afganistan

03/01/2021 11:17

Raportet ne media tregojnë se Presidenti amerikan, Donald Trump kohët e fundit mori disa informacione që tregojnë se Kina u ofroi para disa aktorëve joshtetërorë në Afganistan për të sulmuar ushtarët amerikanë.

Duke folur ne kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i administratës Trump konfirmoi për Zërin e Amerikës se “informacioni sekret u përfshi në raportin që iu dha presidentit në 17 dhjetor dhe Trump u informua personalisht mbi këtë çështje nga këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O’Brien”, siç pohon dhe agjencia e lajmeve Axios. Zyrtarët amerikanë thuhet se po punojnë për të vërtetuar zbulimet e inteligjencës, të cilat ka të ngjarë të rrisin tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit.

“Nuk është asgjë tjetër përveç një lajmi të rremë që synon të njollosë Kinën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin, ndërsa iu përgjigj pretendimeve të Shteteve të Bashkuara në konferencën e tij të rregullt për shtyp.

Ai tha se akuzat kishin për qëllim të “dëmtonin imazhin e Kinës” dhe të cenonin  marrëdhëniet midis dy vendeve. Nuk është e qartë nëse Presidenti i zgjedhur Joe Biden është informuar në lidhje me komplotin e pretenduar kinez.

“Ekipet tona do të përpiqen të mësojnë sa më shumë në lidhje me këto akuza nga administrata në largim, dhe ky është një ilustrim tjetër pse kemi nevojë për bashkëpunim të plotë, përfshirë nga Departamenti i Mbrojtjes”, i tha rrjetit CNN një zyrtar i ekipit të tranzicionit të Biden-it, që nuk pranoi të zbulonte identitetin.

Top Channel