Hungaria nuk do të përdorë vaksinën ruse për koronavirusin, për shkak të kapacitetit të kufizuar të prodhimit, tha kryeministri hungarez Viktor Orban, teksa kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian lidhur me blerjen e vaksinave.

Orban kishte dërguar ekspertë në Rusi dhe Kinë për të monitoruar zhvillimin e vaksinave dhe Hungaria kishte marrë edhe një kampion të vaksinës ruse, Sputnik V.

“Ne e dimë që vaksina ruse është e mirë, por nuk ka doza të mjaftueshme dhe me gjasë nuk do të ketë, për shkak se ata kanë kapacitete të kufizuara të prodhimit”, deklaroi Orban.

Kryeministri hungarez tha se ndryshe nga Sputnik V, “vaksina kineze është më premtuese dhe duket se do të jetë e gatshme më shpejt në sasi të mëdha”.

“Idealja do të ishte nëse ju mund të zgjidhni nëse doni të vaksinoheni me ndonjërën nga vaksinat e prodhuara në Perëndim apo me vaksinë kineze”, u shpreh ai.

Nëntorin e vitit 2020, Hungaria u bë shteti i parë evropian që pranoi një kampion të vaksinës ruse. Ekspertët rusë dhe ata perëndimorë kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me vaksinën, e cila nuk është miratuar për përdorim nga rregullatori evropian i barnave. Pasi Hungaria mori dozat e vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech në 26 dhjetor nisi menjëherë vaksinimin dhe jo siç ishin pajtuar vendet e BE-së, që fushata e vaksinimit të niste një ditë më pas, në 27 dhjetor.

Top Channel