Kur afrohet mosha e pensionit, ata që punojnë kundrejt një page marrin pagesa më të larta se të punësuarit në moshë më të re.

Në këtë moshë rriten përfitimet nga kualifikimet, përvoja dhe vjetërsia, ndaj të ardhurat nga puna për 60-vjeçarët janë më të larta në krahasim me grupmoshat e tjera.

Sipas INSTAT, të ardhurat mesatare nga puna sipas grupmoshës për të punësuarit mbi 60 vjeç janë rreth 330 lekë për orë pune, duke i bërë ata me nivelin më të lartë të pagesës për orë punë në raport me grup-moshat e tjera. Siç shihet nga të dhënat, pagat më të ulëta i marrin të rinjtë, më pak se 30 vjeç. Pagesa te kjo kategori është mesatarisht 261 lekë për orë. Pagesat më të ulëta për të rinjtë lidhen me mungesën e përvojës. Shpesh të rinjtë shqiptare punojnë në profesione që nuk kanë lidhje me arsimin. Gjithashtu në Shqipëri ende një numër i lartë të rinjsh as nuk punojnë dhe as nuk studiojnë.

Ndërsa 60-vjeçarët e sotshëm që janë arsimuar para viteve 1990 janë të profilizuar drejt zanateve dhe profesioneve dhe janë më të integruar në tregun e punës.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë të grup-moshës 40-49 vjeç, rreth 11,4 %. Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, me rreth 36,5 % dhe më i ulët në aktivitetin e furnizimit me ujë, aktiviteteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave e mbetjeve, me rreth -25,9%

Top Channel