(FOTO) Vendim historik në Argjentinë! Legalizohet aborti, festë në Buenos Aires

30/12/2020 12:13

Argjentina është bërë vendi më i madh në Amerikën Latine, që legalizon abortin, pasi Senati miratoi ndryshimin historik në ligj me 38 vota pro dhe 29 kundër, e një abstenim. Aktivistët pro zgjedhjes, nisën menjëherë festën në Buenos Aires.

“Beteja për të drejtat e gruas është gjithnjë e ashpër dhe këtë radhë ne duhej të përballeshim edhe me një pandemi, ndaj jam tejet e gëzuar nga ky rezultat”, tha një aktiviste.

Ligji, që legalizon dhënien fund të shtatzënisë në 14 javët e para, ishte miratuar nga dhoma më e ulët e parlamentit këtë muaj, pasi ishte propozuar para ligjvënësve nga presidenti majtist i vendit Alberto Fernandez.

“Ka një Argjentinë ekstremisht kritike që mohon abortin ashtu siç mohonte edhe homoseksualitetin”, tha Fernandez, para votimit, duke e quajtur abortin një problem të shëndetit publik.

Sipas Fernandez, që nga rikthimi i demokracisë në 1983 më shumë se 3 mijë gra kanë humbur jetën si pasojë e aborteve të pasigurta dhe ilegale në Argjentinë. Vendimi historik do të thotë që Argjentina bëhet vetëm vendi i tretë amerikano-jugor që lejon abortin bashkë me Uruguajin dhe Guajanën.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA