Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën në tërmetin me magnitudë 6.4 që goditi Kroacinë qendrore të martën. Ekipet e shpëtimit kaluan gjithë natën në rrënojat e ndërtesave të dëmtuara në kërkim të të mbijetuarve.

Një 12 vjeçare humbi jetën në Petrinja, pesë të tjerë në qytetin e afërt Glina dhe një viktimë e shtatë u gjet nën rrënojat e një kishe në Zazina. Rreth 20 persona janë të plagosur ndërsa dëmet materiale janë të mëdha.

Kryebashkiaku i Petrinjës tha se thuajse gjysma e qytetit ishte shkatërruar dhe njerëz janë nxjerrë nga rrënojat. Shumë prej banorëve kanë qenë të frikësuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre gjatë natës si pasojë e dridhjeve të tokës që kanë pasuar dhe kanë fjetur në makinat e tyre apo kanë qendruar tek të afërm në zona të tjera. Rreth 200 vetë u strehuan në garnizonet ushtarake.

Mëngjesin e të mërkurës në fakt, Kroacia u godit edhe nga të paktën tre tërmete të tjera me epiqendër po në zonën e Petrinjës. Më i forti ishte i mangnitudës 4.8. Tërmetet, sipas shërbimit sizmiologjik kroat u regjistruan në një thellësi prej dhjetë kilometrash.

Shefi i menaxhimit të krizave i Bashkimit Evropian, Janez Llenarçiç, do të vizitojë Petrinjën gjatë ditës.

Tërmeti i së martës është ndjerë në slloveni, në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi dhe, madje, edhe në Itali. Të hënën, një tërmet me magnitudë 5.2 goditi Kroacinë qendrore, gjithashtu pranë Petrinjës.

Në mars, një tërmet me magnitudë 5.3 tronditi Zagrebin, duke shkaktuar një të vdekur dhe duke plagosur 27 të tjerë. Instituti amerikan i gjeologjisë tha se ai i të martës ishte tërmeti më i madh i regjistruar në Kroaci që nga nisja e përdorimit të instrumenteve moderne sizmike. Një tërmet me përmasa të ngjashme është regjistruar në 1880 afër Zagrebit. Ekspertët ndërkohë paralajmërojnë se do të ketë edhe dridhje të tjera toke.

Top Channel