Reali i Madridit nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 në transfertën ndaj Elches dhe mbeti pas Atleticos në renditje, pasi tani ka dy pikë më pak se “Los Colchoneros” të cilët kanë edhe dy ndeshje më tepër për të luajtur, me të cilat mund të shkëputen më shumë.

Të besuarit e Zinedine Zidane numëronin plot 5 fitore radhazi në kampionat, por nuk ia dolën të ruajnë ritmin dhe regjistruan barazimin e tretë sezonal, ndonëse përballë kishin një skuadër modeste si Elche.

Luka Modric kaloi në avantazh madrilenët në minutën e 20’, ndërsa pak para fundit Reali fitoi edhe një penallti, por pas rishikimit të pamjeve në VAR, arbitri kryesor ndërroi mendje dhe e anuloi. Ndërkohë Elche riktheu baraspeshën në fillim të pjesës së dytë, kur Fidel u tregua i saktë nga pika e penalltisë dhe mposhti belgun Courtois.

Në ndeshjet e tjera, Celta Vigo triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj Huescës, ndërsa me të njëjtat shifra u mbyll edhe përballja mes Granadës e Valencias, një sfidë mjaft e tensionuar, që e detyroi arbitrin kryesor të nxjerrë tre herë kartonin e kuq.

Top Channel