Liverpool ngec në transfertën e “St. Jacob’s park” ndaj Newcastle, pasi nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola, që i lë gjithsesi “the reds” në krye të renditjes me 33 pikë, tre më tepër se Manchester United i vendit të dytë.

Të besuarit e Jurgen Klopp dominuan takimin duke mbajtur topin nën kontroll për treçerekun e lojës, por goditën vetëm tre herë në portë dhe nuk arritën të shënojnë golin që do t’u jepte 3 pikët, ndërsa vendasit u mjaftuan me një mbrojtje fanatike dhe parë shumë rrallë nga porta e Alisson.

Ndërkohë ndeshja tjetër e planifikuar për t’u luajtur pasditen e sotme, ishte ajo mes Tottenhamit dhe Fulhamit, por që u shty vetëm tre orë para startit, pasi klubi mik njoftoi se disa futbollistë dhe pjesëtarë të stafit teknik kishin rezultuar të prekur nga koronavirusi.

Kjo është ndeshja e dytë që shtyhet, pas asaj mes Evertonit dhe Manchester City-t dy ditë më parë, ndërsa zërave për një ndërprerje të kampionatit anglez u kanë dhënë përgjigje vetë drejtuesit e Premier League nëpërmjet një komunikate zyrtare.

“Premier Ligë nuk e ka diskutuar asnjëherë ndërprerjen e kampionatit dhe nuk ka në plan ta bëjë këtë. Ne vazhdojmë të kemi besim te protokollet e vendosura kundër Covid-it, në mënyrë që ndeshjet të vazhdojnë të zhvillohen normalisht. Duke pasur si përparësi shëndetin e lojtarëve, ne mbështesim respektimin e rregullave nga klubet”, thuhet në deklaratën e Premier League.

Top Channel