10 herë më e lartë se shifra zyrtare/ Studimi i ri: Në Wuhan, 500 mijë të infektuar

30/12/2020 12:20

Thuajse 5 përqind e njerëzve në qytetin kinez të Wuhanit mund të jenë infektuar me Covid-19, thotë një studim i kërkuesve në qendrën kineze për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Wuhani ka një popullatë prej 11 milionë banorësh, çka sugjeron se thuajse 500 mijë njerëz mund ta kenë patur virusin. Nëse është e vërtetë, kjo është 10 herë më e lartë se numri zyrtar i raportuar në Wuhan prej 50354 rastesh. Rastet asimptomatike sidoqoftë nuk janë përfshirë nga Kina në bilancet zyrtare.

Studimi i kryer këtë vit, mori kampionë nga 34 mijë persona në Wuhan, si edhe më gjerë, në provincën e Hubeit, Pekinit, Shangait dhe katër provinca të tjera. Kërkuesit gjetën një shkallë antitrupash prej 4.43 përqind në Wuhan dhe 0.44 përqind në provincën e Hubeit, ku ndodhet edhe Wuhani.

Studimi vjen para vizitës së ekipit të shkencëtarëve ndërkombëtarë në Wuhan që do të hetojnë origjinën e virusit. Ata do të vizitojnë qytetin muajin e ardhshëm, pas negociatash të gjata me Pekinin, që kishte hezituar të pranonte një hetim të pavarur. Kina është akuzuar më herët për mungesë transparence për shifrat e saj të virusit, me kritikët që kanë hedhur dyshime për besueshmërinë e tyre.

Top Channel