U arrestua për drogë/ Gjykata i bën “dhuratë” shqiptarit për festa!

29/12/2020 21:20

I arrestuar nga Guardia di Finanza në 30 qershor së bashku me 36 persona të tjerë, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve mes Shqipërisë dhe Italisë, 29 vjeçar Erind Garubi, shtetas shqiptar rezident në Molfetta, ka marrë “një dhuratë për festa” nga gjykata,që vendosi t`ia ndryshojë masën e sigurisë në arrest shtëpie.

Gjyqtari për hetimet paraprake të Gjykatës së Barit, Marco Galesi, vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtësit, avokatit Michele Salvemini, duke urdhëruar zëvendësimin e masës në burgim me atë të arrestit shtëpiak ndaj 29 vjeçarit, i akuzuar për për qëllime të trafikut të drogës si pjesë e operacionit “Kulmi”, të realizuar nga Departamenti i Hetimit Anti-Mafia i Barit që çoi në prangosjen e 27 personave në Itali dhe 10 të tjerëve në Shqipëri, shkruajnë mediat e vendit fqinj.

Sipas hetimeve, të arrestuarit besohet të jenë organizatorët e një trafiku ndërkombëtar të kokainës, marijuanës dhe hashashit mes dy brigjeve të detit Adriatik, një rrugë historike për kalimin e drogës në Europë. Gjatë hetimit u sekuestruan rreth 3.5 tonë drogë, përfshirë marijuanë, kokainë dhe hashash, për një vlerë prej mbi 40 milionë euro dhe që korrespondonte me gati 7 milionë doza drogë.

Top Channel