Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se do të bëjë testime të qytetarëve për koronavirusin në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë më datë 29 dhe 30 dhjetor, nga ora 9:30 deri në 13:00.

“Procedura e marrjes së mostrave bëhet sipas protokolleve të IKSHPK nga ekipet me përvojë të cilat marrin mostra rregullisht në IKSHPK dhe në terren nëpër institucionet e ndryshme sipas indikacioneve epidemiologjike”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë thonë se përkundër situatës epidemiologjike e cila ditëve të fundit ka shënuar rënie të rasteve po vazhdon me testimin dhe sensibilizimin e qytetarëve për koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se të hënën në Kosovë u shënuan edhe 8 viktima si pasojë e koronavirusit.

Në raportin ditor të IKSHPK-së, u tha se bazuar në 1.002 mostra të testuara nga personat e dyshuar me koronavirus, 181 kanë dalë pozitive. Të shëruar nga sëmundja janë regjistruar 407 pacientë. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 50.801. Prej tyre, 1.317 pacientë kanë vdekur dhe 39.969 janë shëruar. Raste aktive aktualisht janë 9.515.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA