Studimi: Oktapodët, ‘gangsterë’ të thellësive që qëllojnë me grusht peshqit pa arsye (video)

29/12/2020 21:23

Është raportuar më parë se oktapodët janë krijesa mjaft inteligjente, me fuqi të trurit të afërt me atë të qenve të gjuetisë.

Por tashmë një studim i ri zbulon se krijesat e zgjuara jo-vertebrore me tetë tentakula zotërojnë dhe sjellje ‘bulizmi’ dhe godasin ‘me grushte’ peshqit e tjerë, thjesht për qejf.

Studimi i publikuar në revistën Ecology detajon sesi oktapodët lëshojnë tentakulat e tyre si “grusht” ndaj peshqve në formë dënimi, apo thjesht për të çliruar pak nga ‘mërzia’ që kap jetën e tyre të vetmuar ujore.

Autori i studimit Eduardo Sampaio, studiues i Universitetit të Lisbonës, tha se ishte i mahnitur nga sjellja e zbuluar.

“Oktapodët qëllojnë peshqit me grusht”, shkruan Sampaio, duke shtuar: “Ky është studimi më zbavitës që kam shkruar ndonjeherë!”

Ashtu si shumë krijesa të tjera në botën e egër, oktapodët dhe peshqit mund të kthehen në partnerë dhe gjuajnë së bashku. Aleancat e tyre mund të jenë të përkohëshme, nganjëherë vetëm disa minuta të gjata.

Oktapodët përdorin tentakulat e tyre për të ndjekur gjahun dhe patrulluar zonën  ndërsa me trupin e tyre komunikojnë për të treguar se ku mund të jenë duke u fshehur peshqit e vegjël.

Ndërsa oktapodët e mëdhenj blu kur nuk janë të kënaqur me gjuetinë, godasin me grusht partnerët e tyre peshq.

Studiuesit thonë se ky akt mund të jetë vërtet një kritikë për ta bërë bashkëpunëtorin të punojë më mirë.

Studiuesit thanë se kishin dëshmuar të paktën tetë raste të tilla në vitet 2018 e 2019 gjatë zhytjeve në Detin e Kuq.

 “Ne nuk kemi parë ndonjëherë shenja të përhershme te peshqit prej goditjes, por me siguri që peshqit e kuptojnë kritikën. Gjashtë nga rastet e konfliktit dukej qartë që kishte të bënin me ‘urdhër’ për kryerjen më mirë të detyrës nga peshqit, ose një formë dënimi te dhene nga oktapodi”.

 “Kam qeshur shumë kur e kam parë, por dhe isha i mrekulluar. Ata e detyrojnë peshkun të largohet nga grupi. Nganjëherë peshqit kthehen në grup dhe nganjëherë nuk kthehen me”, thotë ai.

Top Channel