Plas debati në Gjermani/ A do të kenë privilegje të vaksinuarit kundër Covid-19?

29/12/2020 01:44

Në Gjermani ka nisur debati nëse personat e vaksinuar do të gëzojnë më shumë liri sesa ata që nuk imunizohen. Që tani shoqëri fluturimesh shprehen se për fluturimet e gjata do kërkojnë test negativ të koronavirusit ose provë vaksinimi.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn e refuzon dhënien e të drejtave të posaçme për njerëzit e vaksinuar kundër Covid 19. “Ne presim në solidaritet, me qëllim që disa të vaksinohen të parët. Dhe ata që nuk janë të vaksinuar presin nga ana tjetër, që të vaksinuarit të tregojnë solidaritet”, tha Spahn për grupin mediatik, Funke Mediengruppe.

“Askush nuk duhet të kërkojë të drejta të posaçme, derisa të gjithë të kenë shansin për të pasur vaksinën.” Sipas Spahn është pikërisht kjo përkujdesje e dyanshme që e mban vendin të bashkuar. “Kundër pandemisë ne luftojmë së bashku, dhe do ta mposhtim atë së bashku.”, tha ai. Më herët, ishte ministri i brendshem Horst Seehofer, që i kishte refuzuar privilegjet për të vaksinuarit. “Kjo do barazohej pastaj me një detyrim për vaksinim”, tha politikani kristiansocial Seehofer për gazetën “Bild”.

Kundër privilegjeve është shprehur edhe politikani socialdemokrat, ekspert për shëndetësinë, Karl Lauterbach. Privilegje të tilla nuk do ishin “as të kontrollueshme, e as të justifikueshme”, ka thënë ai. Por ndërkohë Frank Ulrich-Montgomery, president i Shoqatës Botërore të Mjekëve në plan afatgjatë është e mundshme, që njerëzit e vaksinuar të gëzojnë të drejta të veçanta.

“Për momentin, kur nuk ka vaksinë për të gjithë njerëzit, nuk duhet të lejohet një gjë e tillë”, tha ai për Deutschlandfunk. Montgomery kujton, se disa shtete kanë për shembull ndalime udhëtimi për njerëzit që nuk janë të vaksinuar ndaj etheve të verdha, apo sesi në Gjermani është vendosur detyrimi për vaksinimin kundër lisë për fëmijët para pranimit në kopsht.

Top Channel