Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare.

Pro ndryshimeve votuan 41 deputetë të shumicës qeverisëse. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punën e parlamentit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj. Këto ndryshime u hartuan nga Qeveria e re malazeze, me kërkesë të Kishës Ortodokse Serbe. Të hënën mbështetësit e opozitës kanë zhvilluar protesta në kundërshtim të ndryshimeve në këtë ligj. Ligji për Liritë Fetare është miratuar nga qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Markoviç, në fund të vitit 2019.

Me këtë ligj, objektet dhe tokat fetare që kanë qenë të shtetit deri në vitin 1918, do t’i kalojnë shtetit nëse nuk ka prova se ato janë fetare. Që nga miratimi i këtij ligji, Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita e atëhershme kanë organizuar protesta, të cilat kanë rezultuar edhe me ndryshim të qeverisë malazeze. Kisha thoshte se me këtë ligj, shteti dëshiron t’ia marrë pronën.

Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.

Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të vidhte pronën e kishës me ligj.

Top Channel