Heiko Maas: Sovraniteti është më shumë se vullneti i Uashingtonit

29/12/2020 08:10

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë nuk dëshiron të lëshojë pe në mosmarrëveshjen me SHBA për tubacionin Nordstream 2 në Detin Baltik, edhe pas ndryshimit të ardhshëm të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne nuk kemi nevojë të flasim për sovranitetin evropian nëse kjo do të thotë se në të ardhmen gjithçka ne do ta bëjmë ashtu si e dëshiron Uashingtoni,” i tha Heiko Maas Agjencisë Gjermane të Shtypit (dpa). Përballë zëvendësimit të planifikuar të Presidentit të SHBA, Donald Trump nga Joe Biden më 20 janar, politikani i SPD theksoi: “Qeveria gjermane nuk do ta ndryshojë pozicionin e saj në Nordstream 2.”

Gazsjellësi 1200 kilometra nga Rusia në Gjermani ka përfunduar në 94 përqind të tij. SHBA ende po përpiqet t’a ndalojë atë me sanksione dhe kërcënon edhe kompanitë gjermane që janë të përfshira në projekt. Amerikanët e arsyetojnë refuzimin e tyre me frikën për varësinë shumë të madhe të partnerëve të tyre evropianë nga gazi rus. Përkrahësit e gazsjellësit, megjithatë, i akuzojnë SHBA se synojnë vetëm të shesin gazin e tyre të lëngshëm në Evropë.

“Në të njëjtin mendim për çështjet kyçe gjeopolitike”

Bideni e kundërshton Nordstream 2, ashtu si Trumpi. Maas tha se edhe pas ndryshimit në Shtëpinë e Bardhë do të ketë çështje për të cilat ka mendime të ndryshme. “E rëndësishme është që të kemi një vijë të përbashkët për çështjet qendrore strategjike dhe gjeopolitike, që të jemi në të njëjtën anë të fushës.” Gjatë qeverisjes katër vjeçare të Trump, marrëdhëniet gjermano-amerikane ranë në një pikë të ulët, për shkak të çështjeve të shumta të diskutueshme. Qeveria gjermane tani këmbëngul për një fillim të ri.

Trumpi ndër të tjera e kishte akuzuar Gjermaninë se investon shumë pak në ushtri. Edhe këtu, Bideni nuk pritet të ndryshojë kurs. Maasi vërtet u shpreh në mbështetje të objektivit të NATO-s, sipas të cilit çdo shtet anëtar duhet të shpenzojë dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Sidoqoftë, ai theksoi se gjatë krizës së Coronas, të gjitha shteteve iu desh të riorganizojnë financat e tyre. “Pas kësaj duhet të flasim për atë që do të thotë kjo për rrugën që kemi zgjedhur dhe për qëllimin në tërësi.”

“Nevojat e sigurisë së vendeve fqinje janë lënë pas dore”

Në intervistën dhënë dpa-së, Maas gjithashtu komentoi pjesëmarrjen e Gjermanisë në frikësimin bërthamor të NATO.s – që është shumë e diskutueshme brenda partisë së tij. Në debat, nevojat e sigurisë së vendeve fqinje janë lënë pas dore, tha ministri. “Kur thua se ne si Gjermani duam të mos marrim pjesë në frikësimin bërthamor, duhet gjithashtu të marrësh parasysh se çfarë do të thotë kjo për partnerët tanë.”

Kjo do të thotë vende si Polonia dhe Shtetet Baltike, të cilat janë në kufi me Rusinë dhe ndihen të kërcënuara nga vendi i madh fqinj. Në Buchel në landin e Rheinland-Pfalz në Eifel, besohet se ruhen rreth 20 bomba atomike amerikane dhe politikanët kryesorë të SPD janë lutur vazhdimisht për tërheqjen e tyre. Në një rast emergjent, bombat mund të hidhen nga avionët luftarakë të Bundeswehr-it, dhe kjo njihet brenda NATO-s si “pjesëmarrje bërthamore”./DW

Top Channel