Tërhiqen Harry dhe Meghan/ I kërkojnë mbretëreshës të jenë edhe për 1 vit pjesë e familjes mbretërore

28/12/2020 14:39

Bënë gjithçka për t’u çliruar nga kornizat e kurorës, por në fund, Harry dhe Meghan, kanë zgjedhur “të frenojnë” duke i kërkuar mbretëreshës Elisabetë të mund të mbeten pjesë e familjes mbretërore edhe për një vit tjetër.

Më 31 mars 2021, ai që është bërë i njohur si Megxit, do të jetë vulosur, por dukët e Sussex-it duan të mbajnë edhe pak më gjatë petkat mbretërore, shkruan tabloidi britanik “The Sun” dhe kanë kërkuar të zgjatet periudha e tranzicionit.

Rreth një vit më parë, kur Harry dhe Meghan njoftuan qëllimet e tyre për t’u ndarë nga familja mbretërore, në mënyrë që të ishin të pavarur, ishte përcaktuar një periudhë tranzicioni në përfundim të së cilës situata do të rivlerësohej. Ish-aktorja dhe bashkëshorti, me skadencën e kohës që tashmë po afron, duan që periudha të zgjatet në mënyrë që të mos humbasin rolin e tyre në disa organizata të lidhura me familjen mbretërore, të cilat janë të rëndësishme për ta.

Vendimi tani i takon pallatit të Buckingham-it, që duhet të vlerësojë mbi të gjitha nëse marrëveshjet e nënshkruara nga dukët e Sussex-it me Netflix dhe Spotify nuk janë në konflikt me protokollin e kurorës, ndërkohë, në familje, klima është qetësuar shumë. Harry duket se po organizon një udhëtim në Londër kur pandemia ta lejojë. Në 2021, mbretëresha Elisabetë do të mbushë 95 vjeç dhe princi Filip 100. Veç të tjerash do të inaugurohet edhe një monument dedikuar Lady Dianës.

Top Channel