Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme mes një krize institucionale dhe një tjetër shëndetësore.

Në kohën kur priteshin emrat e kandidatëve për presidentë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, tani në plan të parë ka dalë votimet e reja dhe ekzekutivi që do të dalë prej tyre. Deri tani, vetëm PDK-ja ka dalë me një kandidat zyrtar për kryeministtër, Enver Hoxhajn, i cili përpos përpos karrierës akademike, ka dhe një përvojë të gjatë institucionale e politike.

E teksa nuk ka ende një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, PDK-ja sqaroi se ajo hyn në to me një program të qartë për nevojat e qytetarëve dhe me një ekip të gatshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe politike të Kosovës. Ministri i Mbrojtjes, Anton Cuni, njëherazi kryetar i degës së LDK-së në Prizren, ka deklaruar sakaq se është i gatshëm të kandidojë për kryeministër të vendit, nëse partia e tij e propozon.

“Jam gjithmonë i hapur për sfida të reja dhe asnjëherë nuk i largohem pergjegjesive”, ishte komenti i tij, ndërsa LDK-ja ende hesht. Kjo parti akoma nuk e ka propozuar kandidatin për kryeministër, por si opsione të mundshme janë përmendur Lumir Abdixhiku e Avdullah Hoti etj. Vetëvendosja shprehet e bindur në fitore e thotë se do të marrë 2/3 e votave. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa u shpreh se nuk i beson sondazhet, të cilat nxjerrin fituese lëvizjen e Albin Kurti.

I bindur te puna e mirë e qeverisë Hoti, Mustafa deklaroi se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë subjekt politik, por janë të hapur për bashkëpunime. Aleanca Kosova e Re (AKR), nga ana tjetër, ende pa u shpallur zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme ka pranuar oferta për koalicione parazgjedhore, duke thënë se nuk ka vija të kuqe. Me interes të madh po shihet në këto zgjedhje pozicionimi i Vjosa Osmanit. Dy ditë më parë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherazi deputete e VV-së,  Arbërie Nagavci, konfirmoi se do të garojnë bashkë me Osmanin në zgjedhjet e ardhshme, por LDK-ja hesht rreth kësaj deklarate.

Edhe pse mban zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani mund të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kjo gjë është përcaktuar para dhjetë vjetësh nga Gjykata Kushtetuese, në bazë të kërkesës së ushtruesit të atëhershëm të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Kuvendit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe synonte kandidimin në zgjedhje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA