Republikanët dhe Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara bllokuan të enjten përpjekjet për të bërë ndryshime në paketën prej 2.3 trilionë dollarësh për ndihmën për koronavirusin dhe paketën e shpenzimeve qeveritare, duke e lënë statusin e saj të paqartë pasi Presidenti Donald Trump kërkoi ndryshime të gjera në legjislacion.
Demokratët kërkuan të rrisnin pagesat e drejtpërdrejta për amerikanët parashikuar në paketë nga 600 në 2,000 dollarë për person si pjesë e një nisme për ndihmë ekonomike për koronavirusin, pasi presidenti Donald Trump e kërkoi një gjë të tillë. Republikanët, që janë kundër një pagese më të madhe e bllokuan atë kërkesë. Më pas republikanët kërkuan uljen e shumës për ndihmën e huaj të përfshirë në paketë, në përpjekje për të plotësuar një nga kërkesat e tjera të zotit Trump. Demokratët e bllokuan atë përpjekje.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se ligjvënësit e kësaj dhome do të votojnë për kërkesën e rritjes së pagesave personale të hënën. Intensiteti i aktivitetit në Kongres, nuk bëri asgjë për të shmangur bllokimin që kërcënon ndihmën e domosdoshme për miliona amerikanë dhe shton gjasat e një mbylljeje të pjesshme të qeverisë në një kohë kur zyrtarët po përpiqen të shpërndajnë dy dozat e vaksinave të koronavirusit. I indinjuar nga humbja ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit, Presidenti Trump po i bën presion Kongresit për të ndryshuar në mënyrë dramatike paketën, e cila u miratua me mbështetje të gjerë dypartiake të hënën. Zoti Biden merr detyrën në 20 janar.
U deshën muaj negociatash për të miratuar projekt-ligjin prej 5,500 faqesh që kishte mbështetjen e administratës së Presidentit Trump. Mbetet e paqartë nëse zoti Trump do ta nënshkruajë paketën duke e kthyer në ligj apo do të marrë masa për veprime të mëtejshme. Pa nënshkrimin e tij, përfitimet e papunësisë për ata që largohen nga puna nga pandemia do të skadojnë që të shtunën, dhe qeveria amerikane do të detyrohej të mbyllej pjesërisht duke filluar nga e marta.
Top Channel