Vaksina antiCovid/ Pfizer do të shpërndajë 100 milionë doza shtesë në SHBA

24/12/2020 09:11

Prodhuesi amerikan i barnave Pfizer dhe partneri i saj gjerman, BioNTech ranë dakord të mërkurën që të shpërndajnë 100 milionë doza shtesë të vaksinës kundër koronavirusit (COVID-19) në SHBA.

Marrëveshja në total arrin në 200 milionë doza dhe të gjitha do të prodhohen nga fabrikat e prodhimit amerikan, thanë kompanitë në një deklaratë. Dozat pritet të dorëzohen deri më 31 korrik, duke mundësuar vaksinimin e 100 milionë njerëzve në SHBA.

Sipas marrëveshjes, Washingtoni do të paguajë 1.95 miliardë dollarë për dozat shtesë.

“Me këto 100 milionë doza shtesë, SHBA-të do të jenë në gjendje të mbrojnë më shumë individë dhe shpresojmë që t’i japim fund kësaj pandemie shkatërruese më shpejt”, tha Albert Bourla, kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Pfizer. “Shpresojmë të vazhdojmë punën tonë me administratën amerikane dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin”, tha ai.

Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HSS), Alex Azar tha se blerja e re do t’u japë amerikanëve “edhe më shumë besim se do të kemi furnizim të mjaftueshëm për të vaksinuar çdo amerikan që e dëshiron atë deri në qershor 2021”.

“Ne e konsiderojmë vendimin e qeverisë amerikane të dozave shtesë nga kontigjenti i tyre i vaksinës si një shenjë e qartë e besimit në vaksinën tonë dhe aftësinë tonë për shpërndarje”, tha Uğur Şahin, bashkëthemelues i BioNTech.

“Qëllimi ynë mbetet të sjellim vaksinën e sigurt dhe efektive COVID-19 për sa më shumë njerëz që mundemi në të gjithë botën”, shtoi Şahin.

Deklarata vuri në dukje se SHBA ka mundësinë për të marrë një shtesë prej 400 milionë dozash. Qytetarët e SHBA-së që plotësojnë kushtet do të vazhdojnë të marrin vaksinën falas.

Vaksina Pfizer-BioNTech është e para që merret me autorizimin e përdorimit emergjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së në fillim të këtij muaji. Ajo u pasua nga vaksina Moderna, e cila mori “dritë jeshile” të premten. SHBA-ja ka regjistruar më shumë se 18.2 milionë raste me koronavirus dhe gati 323 mijë vdekje, tregojnë të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins”.

Top Channel