Një mutacion edhe më i rrezikshëm/ U zbulua tek dy persona që mbërritën në Britani nga Afrika e Jugut

24/12/2020 01:53

Dy raste të një varianti të ri, akoma më të transmetueshëm të Covid-19, i lidhur me Afrikën e Jugut, janë identifikuar në Britaninë e Madhe. Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock thotë se të dyja rastet janë kontakte të personave që kanë udhëtuar nga Afrika e Jugut gjatë javëve të fundit.

Mendohet se varianti i ardhur nga Afrika e Jugut mund të qëndrojë pas një numri rekord personash të shtruar në spitalet britanike me Covid-19.
Susan Hopkins, nga shërbimi i shëndetit publik në Angli, tha se varianti i ri i zbuluar së fundmi në Britaninë e Madhe dhe ai i gjetur në Afrikën e Jugut, janë të ndryshëm dhe përbëjnë mutacione të ndryshme, të dy shumë më të transmetueshëm.

Britania e Madhe raportoi të mërkurën 39237 raste të reja të koronavirusit, rritja më e lartë ditore e deritanishme kjo ndërsa 744 ishin viktimat e 24 orëve të fundit, edhe kjo shifra më e lartë që nga 29 prilli. Një pjesë më e madhe e Anglisë lindore dhe juglindore do të hyjë ndërkohë në zonën me masat më të larta të kufizimit për shkak të rritjes së shifrave atje.

Varianti i ri i koronavirusit bëri që shumë vende ti mbyllnin dyert Britanisë duke krijuar kaos në udhëtime e trafik. Por, pas vendimit të Francës për heqjen e ndalimit të udhëtimeve me Britaninë, lëvizjet e para kanë nisur, me shoferët dhe udhëtarët që duhet të paraqesin një test negativ të 72 orëve të fundit.

Rreth 3800 kamionë janë të bllokuar në një pistë avionësh në Manston, që kur Franca mbylli kufirin të dielën dhe tani, kamionët e parë kanë rinisur udhëtimin. Në portin e Doverit ndërkohë shoferët janë përleshur me policinë ndërsa prisnin rezultatin e testeve, që po kryhen edhe me ndihmën e ushtrisë.

Top Channel