“Loja e Madhe” e EBA-së në Detin e Kuq komplikon ekuilibrat rajonale

24/12/2020 09:38

Përveç ndërtimit të lidhjeve strategjike me Izraelin, përpjekjet e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) për të kontrolluar tregtinë detare ndërkombëtare të Gjirit dhe aktivitetet e saj në Jemenin e shkatërruar nga lufta po bëhen gjithnjë e më shumë një burim shqetësimi për lojtarët rajonalë dhe globalë.

Gjatë pesë viteve të fundit, EBA ka ndjekur një axhendë ambicioze strategjike në Detin e Kuq, duke ndërtuar instalime ushtarake dhe duke siguruar kontrollin e brigjeve jugore të Jemenit përgjatë Detit Arabik në Bab al-Mandab dhe ishullin Socotra.

Sipas Anadolu Agency, analistët besojnë se pavarësisht reduktimit të gjurmëve të saj ushtarake në Jemen në vitin 2019, EBA është konsoliduar në rajonet jugore. Ajo ka vazhduar të financojë dhe të ofrojë trajnime për mijëra luftëtarë jemenas të tërhequr në grupe të ndryshme si Forcat e Rripit të Sigurisë, Forcat Elite të Shabwani dhe Hadrami, Brigada Abu al-Abbas dhe Forcat e Bregut Perëndimor.

Këto grupe milicie punojnë të pavarura nga qeveria ligjore dhe madje e sfidojnë atë.

Në prill 2020, grupi separatist i mbështetur nga EBA, i njohur si Këshilli i Tranzicionit Jugor (STC) njoftoi administrimin e tij të vetë-qeverisjes në qarqet jugore. Qeveria e Jemenit e sfidoi dhe e quajti një përpjekje “për përçarje të vendit dhe kërcënim të stabilitetit të tij”.

Më parë EBA kreu sulme ajrore kundër forcave qeveritare në Aden që vranë dhe plagosën më shumë se 300 ushtarë dhe civilë. Qeveria legjitime jemenase e mbështetur nga Arabia Saudite e udhëhequr nga presidenti Abd Rabbuh Mansur Hadi ka akuzuar vazhdimisht EBA-në për përpjekjen për të pushtuar ishullin Socotra të Jemenit dhe kontrollimin e zonave bregdetare jugore në Aden, Bab el-Mandeb, Mukalla, Hadiboh, ishullin Perim (i njohur si Mayyun) dhe Balhaf, terminali i vetëm i gazit LNG në vendin e shkatërruar nga lufta.

Milicët që kontrollojnë këto zona janë besnike ndaj EBA-së dhe kundër qeverisë legjitime. Përveç kontrollit të linjave tokësore dhe detare të Jemenit, EBA ka arritur qasje në Bririn e Afrikës së bashku me pikat strategjike detare në Detin e Kuq. Ajo ka arritur të sigurojë marrëveshje me vendet afrikane në brigjet perëndimore të Detit të Kuq për të rritur ndikimin e saj mbi portin Berbera në Somali, portin Assab në Eritrea, portin e Xhibutit, Bosasso dhe Mogadishu në Somali.

Al-Mokha është një qytet i vogël port i vendosur drejtpërdrejt në Bab al-Mandab, pika më e ngushtë midis Gadishullit Arabik dhe Afrikës dhe portës për në Detin e Kuq. Ajo u çlirua nga milicët Huthi në shkurt 2017 nga forcat jemenase të mbështetura nga EBA. Që atëherë, EBA është fuqia e vetme sunduese në zonën midis provincave Hodeidah dhe Taiz. Ajo ka stërvitur milici në bregun perëndimor nën emrat e Brigadës Gjigande dhe Brigadës Tihama si dhe luftëtarë besnikë të Tareq Saleh, nipi i ish-presidentit të Jemenit, Ali Abdullah Saleh, i cili komandon Gardën e Republikës.

Mbështetja e milicisë Saleh

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Abdulhafez Alhatami, një gazetar jemenas nga Hodeida tha se EBA tani po mbështet gjithnjë e më shumë forcat e Tariq në kurriz të të tjerëve. “Në vitin 2019, EBA shkurtoi furnizimet ushtarake duke përfshirë armë të rënda dhe ndihmë financiare për Brigadën Gjigante dhe Brigadën Tihama për t’i detyruar ata të bashkohen me Gardën e Republikës”, tha ai.

Ai zbuloi se EBA ka thirrur Komandantin e Brigadës Gjigante, Abu Zarah al-Muharrami dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga kontrolli i bregdetit perëndimor, duke ia dorëzuar forcave të Saleh. EBA gjithashtu qëndron prapa formimit të milicive të përbashkëta, kuadrot e të cilave formohen nga të tre forcat. Raportet e fundit sugjerojnë se EBA ka emëruar një komandant të ri në këtë forcë të përbashkët, duke kontrolluar bregun perëndimor të Jemenit.

Burimet thanë se ky proces i dorëzimit u zhvillua në qytetin bregdetar Mokha. Komandanti i ri është ngarkuar të adresojë mosmarrëveshjet midis udhëheqësve të milicisë dhe të ndërtojë lidhje më të forta me njerëzit lokalë të cilët shpesh kanë protestuar për praninë e EBA-së në zonë.

Vëzhguesit besojnë se veprimet e EBA-së kanë përshkallëzuar më tej problemet e Jemenit. Megjithëse marrëveshjet për portet dhe bazat ushtarake janë rënë dakord zyrtarisht midis EBA-së dhe shteteve afrikane në brigjet perëndimore të Detit të Kuq, gjasat janë të vogla që EBA t’i dorëzojë këto porte të vlefshme Jemenit.

Sipas Projektit të të Dhënave të Jemenit, koalicioni i udhëhequr nga sauditët dhe EBA ka kryer më shumë se 22.180 sulme ajrore në Jemen që nga fillimi i luftës, mesatarisht mbi 10 sulme në ditë. Për më tepër, Human Rights Watch ka dokumentuar të paktën 90 sulme ajrore të paligjshme të koalicionit, të cilat kanë goditur shtëpitë, tregjet, spitalet, shkollat, xhamitë dhe qendrat e paraburgimit. Disa nga sulmet mund të përbëjnë krime lufte.

Duke folur ekskluzivisht për AA, Tawfik Alhamidi, një aktivist jemenas për të drejtat e njeriut, tha se forcat e EBA-së në bregdetin perëndimor kanë praktikuar veprime të paligjshme të tilla si mbyllja e portit Mokha, zhvendosja e banorëve të Dhubabit dhe ndërtimi i bazave ushtarake në ishullin Perim.

“Ata kanë krijuar burgje sekrete, kanë ndaluar peshkimin dhe kanë lejuar aktivitete të kontrabandës. Të gjitha këto veprime padyshim do të copëtojnë Jemenin dhe do të krijojnë një situatë të paqëndrueshme politike dhe të sigurisë”, tha ai.

Armët e SHBA-së shkojnë për milicitë

Në vitin 2019, CNN kishte gjurmuar armët e prodhuara nga SHBA të shitura për EBA-në të cilat gjetën shtigje për milicitë në Jemen, që përfshinin mbi gjysmë duzine automjetesh MRAP për të gjitha terrenet të prodhuara në Teksas. Ata ishin transferuar tek Brigada Gjigante; milicia aleate e EBA-së.

Opozita e qeverisë legjitime e kishte të vështirë të pengonte EBA-në, duke pasur parasysh ndikimin e saj të fortë në shumë grupe të armatosura. “Qeveria legjitime është e pafuqishme. Ajo nuk e mbron sovranitetin e Jemenit, e lëre më të bombardonte ushtrinë e saj dhe të kthente ishujt dhe qytetet nga EBA”, tha Alghamdi.

Në aspektin më të gjerë, vëzhguesit besojnë se përpjekjet e EBA-së për të kontrolluar rrugët tregtare ndërkombëtare detare duke minuar interesat e forcave rajonale dhe ndërkombëtare mund të krijojë terren për një situatë më të ndërlikuar përgjatë Detit të Kuq. Aktivitetet e EBA-së në Jemen janë vetëm një shembull i planit të saj strategjik të përqendruar në vetvete, e cila ndjek thënien e vjetër se “qëllimi justifikon mjetet”, me çka nënkupton se qëllimi përfundimtar është aq i rëndësishëm sa që çdo mënyrë për ta arritur atë është e pranueshme.

Top Channel