A do të ulet çmimi i energjisë? Ironizon Rama: Mund ta bëjë Basha që nuk ka për të pasur gjë në dorë! Balluku: Çmimi, i palëvizur që nga viti 2014

24/12/2020 12:21

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference live me gazetarët u shpreh sot se nuk do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike.

Me nota ironie, Rama tha se një premtim të tillë mund ta bëjë vetëm Lulzim Basha, që sipas kreut të qeverisë, nuk ka dhe nuk ka për të pasur gjë në dorë.

Çmimin e energjisë mund ta ulë Lulzim Basha që nuk ka gjë në dorë dhe nuk do të ketë gjë në dorë. Çdo me thënë ulje e mëtejshme? Jo, të gjitha premtimet mund të mbahen në kohën që ti parashikon, ndodh diçka dhe shtyhet në kohë. Premtimet mund të marrin kohë përtej asaj që ti parashikon.

Por të gjitha premtimet që ne kemi bërë dhe bëjmë janë të bazuara në arsyetim të mundësive që kemi. Ndërkohë që ulja e çmimit të energjisë është një premtim që nuk e bëjmë dot. Këtë mund ta bëjë Lulzimi që nuk ka gjë në dorë dhe nuk ka për të pasur dhe thotë kap çfarë të kapësh dhe premton nënë e babë” tha ai

Ndërkohë më herët Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku deklaroi sot se që prej vitit 2014 në vend nuk ka pësuar ndryshim çmimi i energjisë elektrike.

Po ashtu ministrja theksoi se për shkak të investimeve që janë bërë në këtë sektor, ndërprerjet ndodhin vetëm për shkak të avarive, ndërsa shtoi se edhe koha e ndreqjes së këtyre avarive është minimizuar.

“Do nisem me shpërndarjen e energjisë elektrike si pjesa më e prekshme për të gjithë qytetarët. Do të ndalem te kuadri rregullator që kemi krijuar gjatë dy viteve të fundit. Liberalizimi i tregut ka qenë një nga synimet tona kryesore dhe ia kemi dalë. Nga marsi i 2020 të gjithë konsumatorët 20 Kw janë pjesë e tregut të lirë. Po ndërmerren masa teknike për të liberalizuar edhe shërbimin e konsumatorëve që janë të lidhur në rrjetin 20 KË. Ndarja e OSHE në tre kompani që përmbushin të gjitha kushtet.

Kemi një çmim të palëvizur që nga viti 2014. Nuk ka pasur asnjë rritje. Dhe nga 13.5 kemi zbritur në 9.5 në vitin 2014. Pavarësisht politizimit që i bëhet këtij elementi, do të doja që ju ta pasqyroni këtë sepse ky është një fakt i pakontestueshëm.

Investimet në rrjetin e shpërndarjes kanë bërë të mundur shërbimin pa ndërprerje. Ndërprerjet vijnë vetëm për shkak të avarive që kemi mundësi ti kontrollojmë. Koha e ndreqjes së avarive sot është minimizuar. Nga investimet kemi këtë impakt pozitiv në sistemin e energjisë”, tha Balluku.

Top Channel