Zhaklina Peto tërhiqet nga gara për në Kushtetuese: Jam e befasuar. I paralajmërova se nëse do vazhdonin me paligjshmëri…

23/12/2020 18:04

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka njoftuar se ka përfunduar vlerësimin për Zhaklina Peton si anëtare për Gjykatën Kushtetuese, por kandidatja thuhet në njoftim është tërhequr nga kandidimi.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi: Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e e KED-së.

Pas këtij vendimi Zhaklina Peto tha për Top Channel se: Jam e befasuar. Unë i paralajmërova se do ta konsideroja dorëheqjen në rast se do vazhdonin me këtë paligjshmëri duke shkelur nenin 6 të konventës të të drejtave të njeriut. Por siç duket vetë  KED  paska qenë në paligjshmëri dhe ka bërë këtë veprim.

Peto paditi KED-në, pasi këta të fundit e përjashtuan nga gara për në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e skualifikoi për mosplotësim kriteresh, ndërsa tashmë bëri verifikimet për të tretën herë.

Njoftimi i KED

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 23.12.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, duke iu përmbajtur rendit të ditës:

1. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019:

– Zhaklina Peto.

2. Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatit të mësipërm.

Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit si edhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës.

Mbledhja nisi me miratimin e rendit të ditës si dhe miratimin e procesverbalit të përmbledhur të mbledhjes së datës 21.12.2020.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi vijoi me shqyrtimin e gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 vendosi:

·Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes, së kandidaturës së Zj. Zhaklina Peto, për shkak të tërheqjes nga kandidimi, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i plotë dhe i zbardhur, do të publikohet i arsyetuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Top Channel