Në fund të mandatit/ Trump fal 15 persona, përfshirë edhe aleatë

23/12/2020 10:57

Presidenti Donald Trump fali 15 persona, përfshirë disa aleatë republikanë, një zyrtar të fushatës të vitit 2016, i implikuar në hetimin për Rusinë dhe ish-kontraktorë qeveritarë të dënuar për një masakër të vitit 2007 në Bagdad.

Ai zbuti po kështu dënimet e pesë personave. Megjithëse nuk është e pazakontë që presidentët të bëjnë falje në fund të mandatit, Trump e ka bërë të qartë se nuk heziton të ndërhyjë në rastet e miqve dhe aleatëve të cilët ai beson se janë trajtuar padrejtësisht. Gjithsesi, pavarësisht spekulimeve, në listë nuk ishin përfshirë anëtarë të familjes së tij, avokati personal Rudy Giuliani apo dhe vetë presidenti.

Faljet përfshinin ish-anëtarët republikanë të Kongresit, Duncan Hunter nga Kalifornia dhe Chris Collins nga Nju Jorku. Trump zbuti edhe dënimin e ish-kongresmenit Steve Stockman të Teksasit. Collins, anëtari i parë i Kongresit që e mbështeti Trump në fushatën për president, u dënua me dy vjet e dy muaj burg pasi pranoi se kishte ndihmuar të birin dhe persona të tjerë të shmangnin 800,000 dollarë humbje në tregun e aksioneve kur mësoi se prova e një ilaçi i një kompanie të vogël farmaceutike, kishte dështuar.

Në grupin e njoftuar të martën, ishin katër ish-kontraktorë qeveritarë të kompanisë Blackwater Worldwide, të dënuar në një masakër të vitit 2007 në Bagdad, që la të vdekur më shumë se dhjetë civilë irakianë dhe shkaktoi një reagim të ashpër ndërkombëtar për përdorimin e rojeve private të sigurisë në një zonë lufte.

Top Channel