Bllokada ndaj Britanisë/ BE apel vendeve anëtare: Hiqni ndalimet, po shkaktohet kaos në prag festash

23/12/2020 02:02

Komisioni Evropian i kërkoi vendeve të BE të heqin ndalimin e udhëtimeve me Britaninë e Madhe për të ndaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit që ka pushtuar vendin dhe që ka ndezur panik global ndërkohë që vaksinat po shpërndahen nëpër botë.

Varianti i ri i virusit, që po ashtu është konfirmuar në shifra të ulëta edhe në vende të tjera, duket se përhapet më lehtë se llojet e tjera por nuk ka prova se është më vdekjeprurës apo rezistent ndaj vaksinave. Zbulimi i saj, sidoqoftë ka shtuar frikën dhe ka bërë që dhjetëra vende të botës të pezullojnë fluturimet nga Britania si masë parandaluese.

Me ndalimet që po shkaktojnë kaos gjatë sezonit të festave, Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE, rekomandoi heqjen e kufizimeve në kufi me Britaninë duke kërkuar testin negativ të koronavirusit të bërë brenda 72 orëve para udhëtimit. Ndalimi i fluturimeve dhe trenave duhet të tërhiqet dhe të lejohen udhëtimet e domosdoshme dhe të mos pengohet zinxhiri i furnizimit – thuhej në një deklaratë të komisionit.

Disa vende anëtare të BE janë mes atyre që kanë vendosur ndalimin e fluturimeve, trenave dhe trageteve drejt dhe nga Britania. Masat e marra nga Franca kanë bërë që të shkaktohen radhë të gjata kamionësh në Anglinë Jugore dhe ka penguar udhëtimin e pasagjerëve në prag të Krishtlindjes.

Britania e Madhe ndërkohë regjistroi 36804 raste të reja të koronavirusit dhe 691 viktima të martën. E kjo shifër e fundit, është më e larta në 24 orë e raportuar që nga fillimi i majit.

Top Channel