SHBA pritet të shpallë kompanitë kineze e ruse me lidhje ushtarake

22/12/2020 02:48

Administrata Trump ka në plan të publikojë të hënën një listë me kompani kineze e ruse të cilat dyshohet se kanë lidhje me ushtrinë, çka i kufizon ata të blejnë një gamë të gjerë mallrash dhe produktesh amerikane të teknologjisë, thanë zyrtarë të lartë të Departamentit të Tregtisë.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi për herë të parë muajin e kaluar se Departamenti i Tregtisë kishte hartuar një listë të kompanive me lidhje me ushtrinë kineze apo ruse, lajm që u hodh poshtë nga Pekini.

Sipas zyrtarëve në listës përfundimtare nuk përfshihet Korporata Ajrore Tregtare kineze (COMAC), ose filialet e Hong Kongut të Arrow Electronics të Kolorados dhe TTI Inc me bazë në Teksas, një shpërndarës i produkteve elektronike në Berkshire Hathaway. Sipas Reuters-it këto kompani ishin në projektlistë.

Lista përfundimtare përfshin 103 subjekte, 14 më pak sesa në projektlistë e cila u sigurua nga Reuters në nëntor. Një zyrtar amerikan tha se pesëdhjetë e tetë kompani janë kineze, nga 89 fillimisht, ndërsa 45 figurojnë të lidhura me Rusinë, nga 28 që ishin përcaktuar në projektlistë.

Sekretari i Tregtisë Wilbur Ross tha se një masë e tillë synon “të ndihmojë eksportuesit në kontrollin e klientëve të tyre”.

Lista përfundimtare pritet të publikohet në faqen e internetit të Departamentit të Tregtisë të hënën dhe për inspektim publik në Regjistrin Federal të martën, thanë zyrtarët.

Top Channel