Gjermani, arrihen shifra rekord infektimesh me COVID-19

22/12/2020 08:43

Në Gjermani ka pasur 24 orët e fundit më shumë infektime të reja dhe më shumë të vdekur nga koronavirusi se një javë më parë. Megjithë uljen në maksimum të aktiviteteve shifrat janë alarmuese.

Brenda një dite në Gjermani janë shënuar 16643 SARS-CoV-2 infektime. Siç bën të ditur Instituti Robert Koch (RKI), shifra e njerëzve që kanë humbur jetën nga virusi, ose me virusin, është shtuar me 226 duke arritur në 26275.

Meqenëse në fundjavë nuk arrijnë t’i japin të dhënat të gjitha Qendrat Shëndetësore, zakonisht shifrat për rastet e reja të ditës së diel dhe ditës së hënë RKI i jep ditët e tjera të javës. Të hënën e kaluar (16.12) shifrat kanë qenë më të ulta: 16362 infektime të reja dhe 188 raste vdekjeje.

Treguesi për shtatë ditë në nivel rekord

I ashtuquajturi treguesi shtatëditor ka sipas RKI vlerën 197,1. Kjo është vlera më e lartë që kur ka filluar pandemia. Numri i infektimeve të reja për 100 mijë banorë arritur në shtatë ditë është një tregues tjetër që përdoret në luftën kundër virusit. Synimi i deklaruar i qeverisë gjermane është që ta mbajë këtë tregues nën 50.

Që nga e mërkura e kaluar në Gjermani është ulur në maksimum numri i aktiviteteve. Dyqanet që nuk ofrojnë sende të domosdoshme për jetën janë mbyllur. Edhe shkollat dhe kopshtet e fëmijëve janë mbyllur. Parashikohet që në fillim të muajit janar federata dhe landet të diskutojnë për hapat e tjera.

Pritet fillimi i vaksinimit

Ndërkohë të gjitha shpresat janë varur tek vaksinat që të mbrojnë nga Corona. Këtë të hënë (21.12), autoritetet europiane për medikamentet (EMA) dhanë gjykimin për vaksinën e parë, një preparat të prodhuar nga BionTech/Pfizer. Pasi EMA jep dritën jeshile, atëherë Komisioni i BE do të japë të martën ose të mërkurën lejen zyrtare, që është një gjë formale.

Atëherë në Gjermani mund t’i bëhet vaksina njeriut të parë më 27 dhjetor. Sipas rregullave federale të vaksinimit të parët që do të vaksinohen janë mbi 80 vjeçarët dhe banorët e shtëpive të kujdesit për të moshuarit, si dhe personeli që ndodhet nën rrezik të lartë në klinika dhe institucionet e kujdesit ndaj personave.

Top Channel