Pacientja ka shfaqur simptomat e etheve hemorragjike dhe qëndron e ulur qetësisht në dhomën e spitalit të improvizuar në Ingende, një qytezë e largët në republikën Demokratike të Kongos.
Ajo pret rezultatin e testeve të Ebolas dhe mund të komunikojë me të afërmit vetëm nga dritarja e mbuluar me plastikë.
Identiteti i saj është i fshehtë për ta mbrojtur nga diskriminimi i banorëve vendas, që janë të tmerruar nga infeksioni i Ebolas.
Fëmijët e saj janë testuar por nuk kanë shfaqur simtoma të sëmundjes.
Për Ebolan tashmë ka mjekime dhe një vaksinë, çka ka reduktuar numrin e vdekjeve.
Por pyetja që ngrejnë të gjithë është: Po sikur të mos ketë Ebola? Po sikur ajo të jetë pacienti zero i sëmundjes X, që ende nuk njihet, i një patiogjeni të ri që mund të përfshijë botën njëlloj si Covid-19?
Për fat të keq kjo tashmë nuk është më skenari i një filmi fantastik, por e bazuar në fakte shkencore.
“Nuk është çudi të trembesh,” thotë doktori vendas Dr. Dadin Bonkole. “Ebola ishte e panjohur. Covid ishte i panjohur. Duhet të trembemi nga sëmundje të reja”, shton ai.
Njerëzimi duhet të trembet nga numri i viruseve të reja dhe mundësisht fatale që po dalin nga pyjet tropikale të Afrikës, thotë profesor Jean-Jacques Muyembe Tamfum, i cili ka ndihmuar në identifikimin e virusit Ebola në 1976 dhe prej atëhere ka qenë në krye të luftës për kërkimin e patogjenëve të rinj.
“Jemi në një botë ku patogjenë të rinj do të vazhdojnë të dalin,” thotë ai për CNN. “Të cilat janë kërcënim për njerëzimin.”
Kur ishte më i ri Muyembe merte mostrat e gjakut nga viktimat e sëmundjes misterioze që shkaktonte hemorragji dhe vriste rreth 88% të pacientëve e 80% të stafit mjekësor që punonte në spitalin Yambuku, ku Ebola u zbulua fillimisht.
Mostrat e gjhakut dërgoheshin në Belgjikë dhe SHBA, ku shkencëtarët zbuluan virusin në formë krimbi, i cili u quajt “Ebola,” me emrin e lumit në Zaire, pranë të të cilit u konstatua fillimisht semundja.
Identifikimi i Ebola u krye me zinxhirin që lidh zonat e largëta të Afrikës, me laboratoret e teknologjisë së lartë në Perëndim.
Tashmë Perëndimi duket se duhet të mbështetet përsëri në shkencëtarët afrikanë në Kongo apo vende të tjera, të cilët duhet të veprojnë si ‘njësi zbuluese’ për të paralajmëruar ndaj sëmundjeve të reja.
Duke folur për CNN nga kryeqyteti Kinshasa, Muyembe tha se më shumë sëmundje zoonitike (që kalojnë nga kafshët te njeriut) janë në ardhje.
Ethet e verdha, format e ndryshme të gripit, tërbimi apo bruzeloza janë disa nga shembujt e mëparshëm të tyre, të cilat kanë kaluar nga kafshët te njeriu me anë të një ndërmjetësi, siç janë brejtësit apo insektet.
Virusi HIV erdhi nga një shimpanze teksa me anë të mutacioneve u kthye në një epidemi moderne njerëzore.
SARS, MERS e Covid-19 janë të gjitha koronaviruse që kaluan te njeriu nga “rezervuare” të panjohura, siç quajnë virologët bartësit natyralë të një virusi.
Megjithse i kërkohet një mendim më optimist, kur Muyembe pyetet nëse mendon nëse do të ketë pandemi më të rënda se Covid-19, ai përgjigjet: “Po, besoj se po”.
Mark Woolhouse, profesor sëmundjesh infektive në Universitetin e Edinburg në Skoci thotë se specie të reja virusesh po zbulohen mesatarisht 3 deri në 4 në vit, çka ndodh prej shkatërrimit të habitateve natyrale nga njeriu dhe tregtisë së kafshëve të botës së egër. /CNN; Përgatiti Andi Lamko/
Top Channel