A do kandidojë sërish për kryeministër? Hoti: Do diskutojmë brenda partisë, jemi në…

22/12/2020 15:38

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, i pyetur se a është i gatshëm të jetë kandidat nga LDK për kryeministër tha se për këtë çështje vendosin organet e partisë.

“Do të diskutojmë brenda strukturave të partisë, besoj që jemi në pozicion të mirë. Tash do t’i kryejmë konsultimet e brendshme për të ardhur deri tek kandidati për kryeministër. Nga sot e tutje fillojnë diskutimet brenda strukturave të partisë. Si LDK jemi ndër partitë më të strukturuara dhe nuk është vendim i lehtë nxjerrja e kandidatit”, tha ai.

I pyetur për një koalicion të mundshëm me LVV ai tha se po përgatiten që t’i fitojnë zgjedhjet.

Derisa për ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, tha se ajo e ka zgjedhur rrugën e vet.

“Ne po përgatitemi dhe kemi përvojën e duhur si favorit për të fituar këto zgjedhje dhe pastaj koalicionet…Ajo ka zgjedhur rrugën e vet. Ajo i ka ndarë përgjithmonë rrugët”, tha ai.

Hoti tha se ka diskutuar me grupet parlamentare dhe ka një gatishmëri për ta votuar buxhetin e vitit 2021.

Ai bëri të ditur se aktualisht janë duke u votuar në mënyrë elektronike masat e reja anti-Covid.

“Derisa po flasim janë në votim elektronik masat e reja. Tash në bazë të fundit të ekspertëve një variant i ri i këtij virusi është shfaqur në Britani, për këtë jemi duke i ndjekur protokollet për këtë”, tha ai.

I pyetur rreth funksionimit të koalicionit qeverisës, Hoti tha se ka funksionuar mirë.

Top Channel