Zyrtarët e BE po diskutojnë për një reagim të përbashkët ndaj variantit të ri, më infektues të koronavirusit të zbuluar në Britaninë e madhe, që ka çuar në ndalime udhëtimesh nga shumë vende.

Kanadaja dhe India iu bashkuan shteteve evropiane duke bllokuar fluturimet nga Britania e madhe, ndërsa shërbimi i trenave drejt Evropës përmes tunelit nën kanalin e La Manshit janë ndaluar.

Dy takime po mbahen në Bruksel, njëri mes ministrave të shëndetësisë dhe tjetri me ekipin e reagimit ndaj krizave në bllok. Por, asnjë vendim nuk pritet deri të martën, kur ambasadorët e BE të takohen.

Një zyrtar francez tha për BBC, se ka dëshpërim për të rihapur kufijtë sa më shpejt që të jetë e mundur, me një opsion në diskutim që është ai i kërkesës që të gjithë ata që vijnë nga Britania, të provojnë se kanë bërë një test negativ koronavirusi së fundmi. Sekretari britanik i shëndetësisë, Matt Hankok, tha më herët se varianti i ri ishte jashtë kontrollit ndërsa Danimarka, Italia dhe Holanda, konfirmuan se e kishin hasur atë.

Shefja e agjencisë evropiane të ilaçeve, EMA, që miratoi të hënën vaksinën e Pfizer dhe Biontech për përdorim emergjent në bllokun me 27 anëtarë, tha se kjo vaksinë do të mbrojë edhe ndaj koronavirusit të ri të zbuluar në Britaninë e madhe.

Në këto momente ne mund të themi se nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se vaksina nuk do të funksionojë kundër variantit të ri të koronavirusit”.

Varianti i ri thuhet se është 70 për qind më i transmetueshëm por nuk ka prova që është më vdekjeprurës. Nuk ka po ashtu as ndonjë provë që sugjeron se ai reagon ndryshe ndaj vaksinave.

 

 

Top Channel