Virusi i ri në Britani/ OBSH: S’ka nevojë për “alarm të madh”

21/12/2020 20:24

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar për variantin e ri të koronavirusit që po përhapet në Britani të Madhe, duke thënë se kjo ishte një pjesë normale e evolucionit të një pandemie.

Sipas Reuters, OBSH pa një dritë pozitive në zbulimin e llojeve të reja që nxitën një mori vendesh të alarmuar të vendosnin kufizime të udhëtimit në Britani dhe Afrikën e Jugut, duke thënë se mjetet e reja për të ndjekur virusin po funksionojnë.

“Ne duhet të gjejmë një ekuilibër. Është shumë e rëndësishme të kesh transparencë, është shumë e rëndësishme t’i thuash publikut ashtu siç është, por është gjithashtu e rëndësishme të pranosh që kjo është një pjesë normale e evolucionit të virusit. Të jesh në gjendje të gjurmosh një virus nga afër, me kujdes, kjo shkencërisht në kohë reale është një zhvillim i vërtetë pozitiv për shëndetin publik global, dhe vendet që bëjnë këtë lloj vëzhgimi duhet të vlerësohen”, ka thënë shefi i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan në një konferencë online.

Zyrtarët e OBSH-së thanë se nuk kishin asnjë provë që varianti i ri të bënte njerëzit më të sëmurë ose ishte më vdekjeprurës sesa llojet ekzistuese të COVID-19, megjithëse duket se u përhap më lehtë.

Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë se vaksinat e zhvilluara për të luftuar COVID-19 duhet të trajtojnë edhe variantet e reja, megjithëse ishin në proces kontrollet për të siguruar një gjë të tillë.

OBSH tha se pret të marrë më shumë detaje brenda ditëve ose javëve mbi ndikimin e mundshëm të llojit të ri të COVID.

Top Channel