Qeveria në Londër nuk e fsheh shqetësimin për variantin e ri të koronavirusit. 

Sipas të dhënave të autoriteteve britanike, varianti i ri i koronavirusit është deri në 70% më infektues se format e tjera të njohura dhe po përhapet me shpejtësi në Londër dhe jugun e Anglisë. Për këtë rajon autoritetet vendosën ndalim qarkullimi dhe udhëtimi.

“Ky variant është jashtë kontrollit dhe ne duhet ta vendosim sërish nën kontroll”, tha për BBC, ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Analizat e para të shkencëtarëve britanikë tregojnë se ky mutacion zotëron në mënyrë të pazakontë shumë ndryshime gjenetike, sidomos në proteinën Spike, e cila i duhet virusit që të depërtojë në qeliza. Vaksina e BioNTech-Pfizer e përdorur në Britaninë e Madhe aktivizon pikërisht një përgjigje të virusit kundër kësaj proteine. Prandaj ekziston frika, se vaksina nuk vepron dot kundër këtij varianti të ri. Por sipas të dhënave të kryeministrit britanik, Boris Johnson nuk ka të dhëna, se varianti i ri shkakton sëmundje të rënda, një vdekshmëri më të lartë, apo se vaksinat janë më pak efikase kundër tij.

Ekspertët mendojnë se vaksina mund të funksionojë edhe kundër këtij variant. Të tria vaksinat kryesore tani për tani zhvillojnë përgjigje imune kundër koronavirusit. Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar për të sulmuar disa pjesë të ndryshme të virusit. Edhe pse një pjesë ka krijuar mutacion, vaksinat funksionojnë.

Megjithatë, profesori Ravi Gupta nga Universiteti i Kembrixhit i tha BBC-së se nëse ‘e lëmë këtë virus të shtojë më shumë mutacione, atëherë duhet të fillojmë të shqetësohemi”.

Top Channel