Varianti i ri i COVID-19/ Kanada ndalon fluturimet nga Britania

21/12/2020 10:18

Kanada ka njoftuar se bashkohet me vendet evropiane në ndalimin e fluturimeve nga Mbretëria e Bashkuar, për shkak të shqetësimeve, rreth një lloji të ri më infektues të koronavirusit, që përfshin pjesët e Anglisë.

Fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar për në Kanada janë ndërprerë për një kohë të pacaktuar që nga mesnata, sipas një njoftimi nga Ministria e Transportit.

Masa erdhi ndërsa disa vende evropiane duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Austrinë dhe Turqia njoftuan pezullimin e fluturimeve nga Britania e Madhe mes lajmeve shqetësuese.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) gjithashtu u ka kërkuar vendeve evropiane që të dyfishojnë masat e tyre shëndetësore.

Të shtunën, kryeministri britanik, Boris Johnson, njoftoi kufizime të reja për shkak të llojit të ri të koronavirusit që përfshin Londrën, juglindjen dhe lindjen e Anglisë.

Rregullat e reja të nivelit 4 kërkojnë që banorët të qëndrojnë në shtëpi përveç përjashtimeve të kufizuara dhe që dyqanet jo-thelbësore, palestrat në hapësira të mbyllura, objektet e kohës së lirë dhe shërbimet e kujdesit personal duhet të mbyllen, ndërsa njerëzit duhet të punojnë nga shtëpia nëse munden deri në rishikimin e ardhshëm më 30 dhjetor.

Top Channel