Një breshëri raketash shënjestroi Zonën e Gjelbër të Bagdadit, duke shkaktuar dëme në kompleksin e Ambasadës Amerikane.

Ushtria irakiane tha se një “grup i jashtëligjshëm” hodhi tetë raketa në drejtim të Zonës së Gjelbër – vend ku ndodhen ambasadat e huaja dhe ndërtesat qeveritare.

Shumica e raketave ranë pranë një kompleksi bosh dhe plagosën një punonjës të sigurimit irakian, tha ushtria lokale. Ambasada amerikane tha se sistemet e saj të mbrojtjes u aktivizuan, ndërsa i bëri thirrje qeverisë irakiane që të ndërmarrë veprime, për të parandaluar sulmet e tilla nga milicitë.

“Këto lloje sulmesh në objektet diplomatike janë shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe sulm i drejtpërdrejtë mbi sovranitetin e Qeverisë amerikane”, tha ambasada. Zyrtarët amerikanë kanë fajësuar në të kaluarën milicitë irakiane, të mbështetura nga Irani, për kryerjen e sulmeve kundër interesave të SHBA-së në Irak.

Amerika e konfirmoi në fillim të dhjetorit tërheqjen e pjesshme të stafit nga ambasada në Bagdad, në përgjigje të tensioneve në rritje me Iranin dhe milicitë irakiane. Zyrtarët shpjeguan se reduktimi i përkohshëm i stafit bëhet në prag të përvjetorit të parë të vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm me dron të SHBA-së, në Irak, teksa ekzistonte frika për sulme shpaguese.

Top Channel