Gjermania dhe Finlanda riatdhesojnë gratë nga Siria

21/12/2020 12:04

Gjermania dhe Finlanda kanë riatdhesuar pesë gra dhe 18 fëmijë nga kampet siriane që strehojnë anëtarë të dyshuar të militantëve të Shtetit Islamik.

Sipas mediave gjermane, tre nga gratë ishin nën hetim me pretendimin se i përkisnin grupit terrorist.

Qindra evropianë që u bashkuan me ISIS janë në kampe të drejtuara nga kurdët në Sirinë veriore.

Shumë prej tyre janë gra dhe fëmijë të dyshuar të luftëtarëve të ISIS ose simpatizantë të grupit xhihadist. Të shqetësuar për rrezikun e sigurisë që kampet paraqesin, disa qeveri evropiane kanë hezituar të riatdhesojnë shtetasit e tyre.

Të dielën, ministri i jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha se ishte “shumë i lehtësuar që ishin në gjendje të riatdhesonin 12 fëmijë dhe tre nëna nga kampet në Sirinë veri-lindore“.

Maas tha se riatdhesimet ishin “raste humanitare, kryesisht jetimë dhe fëmijë që ishin të sëmurë” dhe nevoja e tyre “u konsiderua veçanërisht e nevojshme dhe urgjente“.

Në Finlandë, ministria e jashtme tha se kishte sjellë në shtëpi gjashtë fëmijë dhe dy nëna:- “Sipas kushtetutës, autoritetet publike finlandeze janë të detyruara të mbrojnë të drejtat themelore të fëmijëve finlandezë të internuar në kampe për aq sa kjo është e mundur. Sa më gjatë që fëmijët të qëndrojnë në kampe, pa mbrojtje dhe arsimim, aq më e vështirë do të jetë lufta kundër ekstremizmit radikal.”

Burimi: BBC

Top Channel