Cakaj bisedë me Ministrin për Tregtinë Ndërkombëtare të Britanisë

21/12/2020 17:42

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin për Tregtinë Ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Ranil Jayawardena.

Homologët diskutuan mbi përgatitjet përfundimtare para nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit.

“Pavarësisht BREXIT, Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet një partner i pazëvendësueshëm për zhvillimin demokratik të Shqipërisë, mbështetëse e jashtëzakonshme e Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe përkrahëse e hapur e synimeve tona për anëtarësim në BE”,  u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook lidhur me telefonatën e zhvilluar.

Më tej, Cakaj shprehu mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme për diplomacinë shumëpalëshe të Shqipërisë, si dhe përkushtimin për të zgjeruar e thelluar marrëdhënien mes dy vendeve në çdo rrafsh të mundshëm.

Top Channel