Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Besnik Tahiri ka deklaruar sot se Kosova nuk merret me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk do ta njeh Kosovën sa është ai në krye të shtetit serb. Përkundrazi, Tahiri thotë se Kosova duhet të vazhdojë drejtimin e saj me qëllim që dialogu të finalizohet me njohjen reciproke.
Këto deklarata Tahiri i bëri në një konferencë për media, menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë, me ç’rast tha se Vuçiq nuk është për dialog, pasi ai këtë çështje e ka vetëm sa për t’u dukur i moderuar dhe si njeri i paqes.
“Kjo nuk duhet të na shqetësojë hiç neve. Ne i kemi punët tona, drejtimet tona. Ai flet ne me u provoku dhe ne me e pas një reagim të fortë dhe me thënë: ‘këta janë kundër dialogut’[…] Ai i ka qëllimet e veta për konsum të brendshëm dhe për konsum të jashtëm, ne e kemi drejtimin tonë. Për ne, përfundimi i dialogut, respektivisht dialogu është rrugë njëkahëshe, nuk ka alternativë dialogu. Por, në asnjë moment ne nuk shkojmë me dialogu procese të gjata por ne shkojmë me dialogu një dialog, i cili si rezultat e ka njohjen reciproke dhe drejtimin drejt Bashkimit Evropian edhe të Kosovës, edhe të Serbisë. Drejtimi i Kosovës është në rrugën e vet përkundër problemeve që i kemi, ndërsa drejtimi i Serbisë lidhet ngushtë me marrëdhëniet reciproke”, tha ai. /Kosova Press/
Top Channel