​Leyen: Ditët e vaksinimit të BE-së nga 27-29 dhjetor

21/12/2020 21:30

Komisioni Evropian lëshoi sonte një miratim për vënien në qarkullim të vaksinës të zhvilluar nga kompanitë Biontech dhe Pfizer, duke e bërë atë vaksinën e parë kundër COVID-19 të miratuar në BE.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se me këtë “hapet një kapitull i ri” në luftën kundër pandemisë dhe se vaksinat do të jenë në dispozicion për të gjitha vendet anëtare të BE në të njëjtën kohë, në të njëjtat kushte.

“Dorëzimet e para të vaksinave do të fillojnë nga fabrika Pfizer në Belgjikë në ditët e ardhshme. Vaksinimi mund të fillojë në të njëjtën kohë gjatë ditëve të vaksinimit në BE prej 27 deri 29 dhjetor, “tha Leyen në adresim nga Brukseli.

Miratimi i Komisionit Evropian vjen pas një rekomandimi pozitiv shkencor bazuar në një vlerësim të plotë të sigurisë, efikasitetit dhe cilësisë së vaksinës nga Agjencia Evropiane e Barnave, por edhe pas mbështetjes së të gjitha vendeve anëtare.

Në Bruksel deklarojnë se kjo është vaksina e parë kundër COVID-19 dhe se të tjerat do të “miratohen shpejt” nëse provojnë të jenë të sigurta dhe efektive.

Agjencia Evropiane e Barnave duhet të japë mendimin e saj për vaksinën e ndërmarrjes farmaceutike amerikane “Moderna” më 6 janar.

Von der Leyen kujtoi se përveç prokurimit të vaksinave për Evropën, BE, përmes mekanizmit Covax dhe donacioneve prej mbi 800 milionë euro, po punon për sigurimin e vaksinave për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në të gjithë botën.

Top Channel