Në SHBA, ngarkesat me vaksinën Moderna për coronavirusin nisën të dërgohen sot në mëngjes drejt objekteve të kujdesit shëndetësor.

Shpërndarja e vaksinës Moderna në më shumë se 3,700 destinacione të vendit do të zgjerojë mjaft operacionet e nisura javën e kaluar me kompaninë Pfizer Inc. Qeveria amerikane planifikon të shpërndajë brenda javës që vjen 5.9 milion vaksina Moderna dhe 2 milion vaksina Pfizer.

Por synimi ambicioz për të imunizuar para fundit të vitit 20 milion amerikanë me dozën e parë të vaksinës që kërkon dy doza, mund të shtyhet deri në javën e parë të janarit, u tha gazetarëve gjenerali amerikan Gustave Perna.

Dje, kompania Moderna i transportoi vaksinat e para nga fabrikat e saj të prodhimit në Bloomington të shtetit Indiana për në magazinat e operuara nga firma McKesson për t’u paketuar në kontejnerë dhe për t’u ngarkuar në kamionë. Dërgesat do të fillojnë të arrijnë tek objektet shëndetësore të hënën, tha gjeneral Perna.

Shpërndarja e vaksinës Moderna do të zgjerojë ndjeshëm mundësinë e njerëzve për t’u imunizuar ndërkohë që vdekjet e shkaktuara në SHBA nga coronavirusi arritën në më shumë se 310,000 javën e kaluar, 11 muaj pas rasteve të para të konfirmuara në vend.

Disa shtete amerikane kanë zgjedhur Modernën për zonat rurale, sepse kjo vaksinë mund të ruhet për 30 ditë në frigoriferë me temperaturë standarde. Ndërsa vaksina Pfizer duhet të transportohet dhe ruhet në -70 Celsius dhe mund të mbahet vetëm për pesë ditë në temperaturat standarde të frigoriferit.

Dozat e para po u jepen profesionistëve të shëndetit. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të vendosin tani se cila do të jetë kategoria e radhës që do të vaksinohet. Kategoritë që po shqyrtohen janë punonjësit e domosdoshëm, personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje ekzistuese. /VOA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA