Partitë politike në Kosovë janë pajtuar me idenë e mbajtjes së zgjedhjeve brenda muajit shkurt nëse nuk arrihet konsensus në lidhje me postin e presidentit. Partië e koalicionit qeverisës, LDK dhe AAK shprehen se data e fundit për organizimin e zgjedhjeve duhet të jetë në shkurt, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë do të jetë për vendin.
‘Nëse ne nuk arrijmë konsensus gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit janar, unë mendoj që data e fundit kur vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje është fundi i muajit shkurt. Ne duhet të kemi parasysh që duhet të zhvillohet një proces zgjedhor, dhe pas procesin zgjedhor është procesi i certifikimit të rezultateve, konstituimi i Kuvendnit të Republikës, pastaj zgjedhja e qeverisë, e që mendoj do të marrë kohë të caktuar. Ne duhet të garantojmë se Kuvendi i republikës duhet të konstitutohet brenda muajit prill dhe eventualisht brenda datës 5 maj ne duhet të zgjedhim presidentit e republikës’- tha Shkëmb Manaj.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se janë dakort me çdo lloj date që mund të caktohet për zgjedhjet, ndërsa inistojnë tek kandidatura e Ramush Haradinajt për kryetar shteti.
‘Aleanca e ka propozuar kandidatin për president, zotëri Haradinaj, këtë drejtim ne nuk kemi kompromise. Tani lindin dy pyetje, a dëshirojmë të kemi një president që me afate kushteutese ky të zgjidhet, apo duam të shkojmë në zgjedhje…Çfarëdo date që të caktojnë nëse nuk zgjidhet presidenti, Aleanca pajtohet’- tha Pal Leka.
‘Ne si Lëvizje nuk është që kemi zgjedh një muaj të favorshëm, aq më herët që të mbahen zgjedhjet, aq më mirë. Çdo vonesë neve po na kushton me një qeverisje të keqe, që po iu kushton qytetarëve me miliona euro, kështu që rrjedhimisht aq më herët që mbahen zgjedhjet aq më mirë për vendin dhe aq më shpejtë iu ikim krizave të tjera institucionale’- tha Dimal Basha.
Partitë politike në Kosovë ende nuk kanë zhvilluar asnjë takim për të diskutuar mbi postin e presidentit, ndërsa po bëhen rreth dy muaj që këtë detyrë po e ushtron Vjosa Osmani.
Top Channel