Hoti: Deklarata e Vuçiqit për mosnjohjen e Kosovës, nuk i kontribuon dialogut

19/12/2020 18:03

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën derisa të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 2022, nuk i kontribuojnë dialogut.

Hoti përsëriti qëndrimin e tij se në procesin e dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova kërkon një marrëveshje që do të përfshinte njohjen reciproke.

“Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut. Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Më 18 dhjetor, presidenti serb, Vuçiq tha se njohja e Kosovës nga Serbia nuk mund të ndodhë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

“Pas kësaj është populli ai i cili do të vendosë”, ka deklaruar Vuçiq, në një intervistë për televizionin serb TV Prva.

Në këtë intervistë, Vuçiq po ashtu ka thënë se askush në Perëndim nuk mendon se Kosova është e pavarur.

Lidhur me deklaratën e Vuçiqit ka reaguar edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila ka thënë se kjo deklaratë “ngrit dy hipoteza përjashtuese: Serbia e përjashton veten nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja deri më 2022 ose se ndërmjetësuesi (v.j. BE-ja) beson se ‘normalizimi i plotë’ nuk nënkupton detyrimisht njohje reciproke”, ka shkruar ajo në Twitter.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dialogu për normalizimin e plotë të marrëdhënieve rinisi në korrik të 2020-ës, por së fundmi, kryeministri i Kosovës, Hoti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.

BE-ja ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Top Channel