Vaksina në Ballkan, njëherësh me BE. Nëpërmjet Covax dhe vendeve të BE që kanë tepëricë vaksinash

18/12/2020 13:15

Komisionari evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, konfirmoi se Bashkimi Evropian po punon që vaksinat kundër sëmundjes COVID-19 të jenë të disponueshme edhe për Ballkanin Perëndimor, sapo të fillojë shpërndarja në territorin e BE-së.

Shpërndarja e vaksinave anti covid në ballkanin perëndimor mund të fillojë më 27 dhjetor. Lajmi i mirë është dhënë nga komisioneri evropian për zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili konfirmoi se BE po punon që vaksinat të jenë të disponueshme edhe për rajonin tonë, sapo të fillojë shpërndarja e tyre në territorin e BE.
“Koordinim i mirë me ministrat e jashtëm të ballkanit perëndimor dhe evropës për krizën e koronavirusit. Ne po punojmë që vaksinat anti covid të jenë të disponueshme për ballkanin perëndimor në mënyrë të koordinuar, sapo ato të fillojnë të shpërndahen në BE”, shkruan Varhelyi në Tëitter.
“Po ndajmë fonde për aranzhimet mbështetëse dhe koordinuese. Në pandemi qëndrojmë pranë Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e të cilit është në BE”, vijon ai.
Përmes një video-konference, ai bisedoi të premten me ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit, përfshirë edhe atë shqiptar, Gent Cakaj, për mënyrën se si të ndihmohet furnizimi i tyre me vaksinat kundër koronavirusit. Është planifikuar që vaksinat të dërgohen në rajon përmes dy kanaleve: i pari është progami i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, i cili mundëson që vendet me të ardhura të larta të sigurojnë se vaksina është në dispozicion edhe për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; kanali i dytë është përmes shteteve individuale anëtare, që do të kanë tepricë vaksinash. Agjencia Evropiane e Barnave pritet t’i miratojë vaksinat për tregun evropian të hënën, ndërsa, sipas paralajmërimeve, vaksinimi në BE do të nisë më 27 dhjetor. Të gjitha shtetet anëtare do të kenë akses tek vaksina në të njëjtën kohë dhe me të njëjtat çmime. Vaksinimi ka nisur tashmë në disa vende të botës ndër të cilat Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Kanadaja e Arabia Saudite.

Top Channel